Kryeministri Edi Rama, në një takim me pedagogët e Universitetit të Tiranës, ka deklaruar se reforma e ndërmarrë nga qeveria e tij ndryshoi tërësisht sistemin arsimor në vend, që sipas tij ishte rrënuar vetëm e vetëm për qëllime përfitimi.
“Një rrënim tërësor i ishte bërë jo vetëm sistemit të arsimit në këto vite, por dhe kuptimit të tij dhe vlerës së tij. Kishim thyer një rekord botëror pasi kishim 18 herë më shumë universitete se Britania e Madhe dhe 15 herë më shumë se Gjermania për frymë. Ishte një sistem me një korsi, nga klasa e parë drejt e në universitet. Ndërkohë, korsia tjetër, që është kyçe për zhvillimin ekonomik e social të vendit, arsimi profesional, ishte mbyllur”, ka deklaruar Rama.
Kreu i qeverisë ka theksuar se, rrënuese ishte edhe skema e financimit, e cila sipas tij nuk merrte në konsideratë asnjë referencë, por thjesht toleronte universitetet private që të ktheheshin në një ndërmarrje fitimprurëse.
“Kështu u shkatërrua arsimi publik dhe ai privat. U shkatërrua edhe matura shtetërore”, ka thënë Rama, duke shtuar se qeveria e tij tashmë e ka futur sistemin në shinat e ndryshimit.
“Kjo që kemi ndërmarrë ne është vetëm fillimi i një procesi ku konkurrenca duhet të ashpërsohet vit pas viti dhe ku hyrja në universitet duhet të bëhet më e vështirë dhe jo më e lehtë, për t’u siguruar që kush del nga universiteti të jetë shërbëtor i formuar i këtij populli”, ka shtuar Rama.
Më tej Rama u ka premtuar pedagogëve se pagat e tyre do të rriten. “Vetëm universiteti do të marrë 5 milionë dollarë nga fondet për pagat. Profesori i universitetit do të marrë 139 mijë lekë të vjetra në muaj më shumë, lektori do të marrë 103 mijë”, ka thënë Rama.
Ai u ka kujtuar të pranishëmve se, në 2013 buxheti i Ministrisë së Arsimit nuk mjaftonte për të mbuluar pagat e pedagogëve dhe personelit dhe parashikonte pagat vetëm për 9 muaj.
Diskutime rreth kësaj post