Nga Andi Bushati
Të martën, në komisionin parlamentar të mediave, u zhvillua një diskutim gjysëm tinzar dhe gjysëm i pafajshëm, ndërmjet deputetëve të PS-së. Disa mbronin idenë se taksa për televizionin, që u merret shqiptarëve sëbashku me faturën e dritave, duhet shtuar dhe disa të tjerë, se ajo duhej të mbetej aq sa është: pra 1 mijë lekë të vjetra.
Por, përtej kësaj përplasjeje, në sipërfaqe xhenuine, fshihet një nga projektet me djallëzore që po përpilohet në zyrën e kryeministrit. Ai është i thjeshtë: nëse deri më tani taksapaguesit derdhnin para vetëm për të financuar TVSh-në, ata këtej e tutje do duhet të paguajnë dyfishin dhe më shumë, që pjesa e vjelë e parave të shkojë në xhepat e pronarëve të mediave private.
Tani është një “sekret publik”, nuk ka gazetar që nuk e di, se bosët kryesorë të mediave në vend kanë zhvilluar disa takime në zyrën e kryeministrit për të vënë në jetë projektin që i lejon atyre të pasurohen me taksat e shqiptarëve.
Natyrisht, kushdo e kupton që ky projekt i çartur është një grabitje e pastër. Kushdo është i ndërgjegjshëm se kjo është përpjekja e fundit për kapjen e televizioneve më të mëdhej në vend që edhe kështu siç janë, ngjajnë përditë e më shumë me ER TV. Kushdo s’mund të ketë asnjë dyshim, se kemi të bëjmë me një nismë që shkallmon tregun, ul edhe atë pak transparencë që ka mbetur dhe e bën qeverinë pronare reale të ekraneve kryesore të Shqipërisë.
Por, thënë këto, problemi është edhe me i rëndë.
Sepse ai lidhet me një strategji të qartë, të ravijëzuar që në fillim të pushtetit të saj nga klika ramiste, për t’i përqëndruar mediat vetëm në pak duar në mënyrë që t’i kontrollojë më lehtë.
Plot tre vite më parë, në maj të 2015, socialistët dolën në skenë me atë që shumëkush sot e ka harruar dhe që u njoh si amendamenti Balla. Atëherë, nën trysninë e lobeve mediatike, Taulant Balla propozoi shfuqizimin e nenit 62 të ligjit për mediat audiovizive.
Në thelb, ky nen ishte konceptuar për promovimin e pluralizmit në media. Ai ndalonte që televizionet kombëtare dhe platformat dixhitale të ishin nën kontrollin e një njeriu të vetëm (asnjë pronar nuk lejohej të kishte më shumë se 40%) për të mos i përdorur ato si kioska për përfitimet e familjes së vet biologjike, si shantazh për leje ndërtimi, koncesione etj.
Fakti që një eksponent i rëndësishëm i mazhorancës (natyrisht jo me kokën e tij) donte t’i vinte shkelmin këtij kushti thelbësor për lirinë e mediave, i alarmoi institucionet ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, edhe Këshilli i Europës edhe OSBE ngritën zërin për përqëndrimin e pushtetit mediatik në dorën e një grupi të vogël njerëzish. Alarmet e tyre natyrisht nuk u shikuan dhe dëgjuan nga shumica e teleshikuesve shqiptarë, sepse pothuajse askush nuk i transmetoi ato.
Megjithëatë, shumica ramiste, falë presionit ndërkombëtar u duk sikur u tërhoq. Por vetëm përkohësisht. Atë nismë që s’e realizoi dot me dorën e deputetëve, kryeministri e zgjidhi me ndihmën e gjyqtarëve, që sot i anatemon aq shumë. Për një nga turpet e saj më të mëdha, Gjykata Kushtetuese, të cilën sot po e shkërmoq vetingu, vendosi fiks ashtu siç kishte kërkuar Taulant Balla, t’a shfuqizonte nenin e famshëm 62.
Ajo i hapi rrugë grumbullimit të pushtetit mediatik në pak duar. Ajo sanksionoi me këtë vendim të kërkuar nga qeveria, se jo vetëm që televizionet më të mëdhenj në vend mund të jenë pronë e një aksioneri, por edhe gjendjen aktuale, pra, që ato t’i shërbejnë një familjeje të vetme. Kushdo që punon sot në një nga këto media e ka parë se ato janë kthyer në zyra punësimi të grave apo motrave, kunetërve apo vëllezërve, bijve apo bijave, nuseve apo dhëndurëve të pronarëve. Kushdo që ndjek trajektoren financiare të tyre, e di mirë se ato nuk i shërbejnë asnjë gjëje tjetër veçse interesave, tenderave, lejeve, koncesioneve apo PPP, që çojnë para në llogaritë e aksionerëve të vetëm.
Pikërisht këtë deformim të madh që u ndodhi mediave në epokën Rama, e vuri re edhe një studim i fundit investigativ mbi “Monitorim e Pronësisë së Medias- Shqipëri” që u publikua nga BIRN (shiko shkrimin poshtë). Ai theksonte me shqetësim se vetëm 4 familje kanë në territorin shqiptar monopolin e informimit, duke arritur shifrën e frikshme deri në 58% të audiencës kombëtare.
Pra Rama e realizoi edhe në sferën mediatike skemën e njohur: ashtu sikurse kontrollon ekonominë, duke zhvatur të vegjlit t’ u dhënë një grushti oligarkësh, po me të njëjtën mënyrë, ai monopolizoi dhe informacionin.
Diskutime rreth kësaj post