Kryeministri Edi Rama, ishte sot në Kavajë ku mori pjesë në takimin për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste. Në fjalën e tij Rama u shpreh se, vendi po ecën çdo ditë përpara në drejtimin e duhur.
“Po ecim çdo ditë përpara në drejtimin e duhur dhe njerëzit nuk janë budallenj që të hanë ato që i shërbehet nga politika e vjetër. Njërëzit shohin e kuptojnë se kush është drejtimi dhe zgjedhja e duhur. Në Kavajë kanë bërë 3 herë rresht zgjedhjen e duhur dhe kanë mundur të shohin transformime, por ajo që do të bëjmë do të jetë edhe më shumë se ç’është bërë. Ka shumë probleme për të zgjidhur e për këtë arsye duhet të vazhdojmë rrugën e reformave për të bërë shtet dhe shtet në këtë vend mund të bëjë vetëm PS-ja. Pikërisht pse kemi ndërmarrë rrugën e reformave që të tjerët nuk guxuan ta mendonin, e jo më ta bënin, sot kemi rezistencë vulgare prej kundërshtarëve të reformave”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se ministri i Shëndetësisë është më i sulmuari pasi ka prekur interesa: “Beqaj është nga më të sulmuarit pasi ka prekur interesa. Beqaj i ka kursyer popullit 70 milionë dollarë për ilaçe që shkonin diku tjetër. Të mos lejosh të dalin nga xhepat e popullit këto para’, do të thotë që të lëndosh ata që ishin mësuar t’i merrnin. Janë këta persona që bëjnë rezistencë dhe akuzojnë”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post