Pas tërmetit e pandemisë, Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se vendi do të goditet nga një tjetër krizë e rëndë, kësaj radhe energjetike, efektet e së cilës tha se do të ndihen edhe në ekonominë shqiptare.
“Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë. Në aspektin ekonomik e social ka një energji negative që mund të ketë efekte gjithaq tronditëse, mbi jetën e familjeve, bizneseve, shoqërisë. Kjo, është kriza e jashtëzakonshme energjitike, e cila vetëm sapo ka nisur, të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia.”
Kjo krizë e re sipas Ramës ka sjellë një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve të karburantit, por edhe mallrave të konsumit, ku Shqipëria sipas tij nuk bën përjashtim.
“Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar. Në bursën HUPX, energjia elektrike është tregtuar me mesatarisht 39 eur/Mëh vitin e shkuar, ndërsa sivjet ky çmim ka arritur shifrën e 110 eur/Mëh, duke shënuar një rritje prej 182%. Edhe Shqipëria si të gjitha vendet e tjera, është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet pa u shmangur dot me këtë furtunë globale.”
Rama tha se kriza do të ketë pasoja në Shqipëri, por qeveria angazhohet t’i mbrojë konsumatorët familjare dhe biznesin e vogël.
“Ekspertët mendojnë se pavarësisht implikimeve të mundshme sistemike, që kriza e jashtëzakonshme energjitike mund të ketë mbi të gjitha vendet, beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm. Dhe përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare, është të mbrojë medoemos dhe sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh.”
Ky qëndrim i Kryeministrit vjen në një kohë kur javët e fundit në Shqipëri krahas çmimit të karburanteve, rritje të ndjeshme ka pësuar çmimi i bukës dhe i produkteve të shportës.
Diskutime rreth kësaj post