Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dje, krerët e bashkive në vend se do dergjen burgjeve nëse abuzojnë. Gjatë një takimi që zhvilloi me këta të fundit, ai paralajmëroi krerët e bashkive që t’i vënë gishtin kokës dhe se arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes sipas tij, është një rast që duhet të shërbejë si mësim. Ai kërkoi punë dhe përkushtim nga ana e tyre, në këtë mandat të 3 qeverisës.
“Nuk nisemi nëse ai është fajtor, por i marrim këto masa për të dhënë një mesazh shumë të qartë për ata që paguhen. Arsyeja pse ju thirra është se pa përjashtim, ti vini mirë gishtin kokës, të kuptoni se mandati i tretë kërkon përkushtim të trefishtë, seriozitet të trefishtë, një vetëdijesim të trefishtë për trefishimin e nivelit të performancës”, deklaroi ai. Po ashtu, kryeministri Edi Rama i paralajmëroi kryebashkiakët që të mos abuzojnë me tenderat. Ai theksoi, se ata që do të abuzojnë do ta kenë vendin në SPAK. “Nga dënimet me gjobë në denoncime në SPAK për çdo rast kur shkeljet përbëjnë dyshim të arsyeshëm për tender abuziv. Le të jetë kushdo prej jush. Të shmanget procedimi me negocim pa shpallje paraprake, pasi çdo përdorim qartazi abuziv i kësaj teknike do të konsiderohet i paligjshëm dhe i dërgohet SPAK”, u shpreh Rama.
Nga takimi me kryebashkiakët e vendit, kryeministri Edi Rama, foli edhe sa i përket regjistrimit të tokave bujqësore. Rama, u tha urdhër krerëve të bashkive që t’i përfundojnë brenda mandatit të tretë, ndërsa kritikoi se disa bashki nuk e kanë kryer këtë detyrë. Kryeministri tha, se mungesat nuk do të tolerohen.
“Arsyeja tjetër është domosdoshmëria e një ndryshimi imediat i ndryshimit tuaj qeverisës lidhur me regjistrimin e tokës bujqësore. PS nuk do marrë asnjë kosto për zvarritjen e këtij procesi. Regjistrimi të përfundojë brenda mandatit. Del dhe tepron ajo që keni pasur deri më sot. Vonesa është e patolerueshme, janë bërë të gjitha ato që mund të bëheshin që ky proces të përfundojë brenda mandatit të tretë. Regjistrimi i tokave bujqësore është një sfidë historike. Tani duhet bërë. Ligji i ri që është pjesë e këtyre përpjekjeve, ka përmbledhur të gjithë arkivat në një vend në Kadastër”, tha kryeministri Rama.
Sakaq, kryeministri theksoi se vetëm një pjesë e bashkive i kanë bërë regjistrimet për tokat bujqësore. Rama vijoi më tej, duke thënë se argumentet se nuk ka dokumentacion janë të papranueshëm.
“Vetëm 18% e bashkive e kanë kryer përgjithësisht dhe pjesërisht këtë detyrë, vetëm 9 bashki e kanë dorëzuar dokumentacionin, ndërsa 52 nuk kanë dhënë asnjë shenjë që po merren me këtë punë. Me ndarjen e re administrative në vitin 2016 bashkitë morën detyrimin që të kryenin mbledhjen e arkivave të ish- komunave. Nuk e kanë bërë akoma deri më sot. Argumentet që nxirrni ju janë sa të çuditshëm aq edhe të papranueshëm. Jo po nuk disponojmë dokumentacionin, jo po formularët janë të amortizuar, nuk kemi njerëz”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Rama.
Diskutime rreth kësaj post