Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka paralajmëruar se duke nisur nga java e ardhshme forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”, për të shembur ndërtimet pa leje.
Rama ka theksuar se shembja e ndërtimeve pa leje do të nisi me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit.
Më tej kryeministri Edi Rama në një reagim në rrjetet sociale shkruan se do të vijohet edhe me pastrimin e gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare. Rama ka bërë edhe një apel për shkelësit duke thënë se duhet të prishin vetë ndërtimet pa leje.
Reagimi i plotë:
“Shëngjin – Javën e ardhshme forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”, për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit (qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve, e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri tek punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit)
Pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit
Apeli për shkelësit është i thjeshtë: Prishni e pastroni vetë çka keni ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballeni me forcën e operacionit “Bregdeti Ynë”, do të jetë shumë vonë për ju.“-shkruan Rama.
Diskutime rreth kësaj post