Papritur këtë të dielë u mësua se ish- Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati do të merrte një detyrë të re, pikërisht në një ‘front’ të vështirë siç është ai i kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria për vitin 2020.
Pavarësisht se në strukturën e OSBE-së nuk ka një post të të ‘dërguarit të posaçëm’, kjo është detyra që Rama i ka dhënë ish- Ministrit të Jashtëm. Bushati do të jetë zëri i Shqipërisë në ditët kur Rama nuk do të jetë prezent në krye të presidencës së Shqipërisë në OSBE.
Dukshëm diçka ka ndodhur ‘pas perdes’, që kryeministri Rama i ka dhënë një rol vendimtar ish- Ministrit me të cilin pati jo pak përplasje.
Nga ana tjetër, emërimi i Bushatit si i dërguar i posaçëm vë në dukje ‘ftohjen’ e relatave mes kryeministrit Rama dhe Ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, i cili mesa duket do të ketë pak ose aspak rol në kryesimin e OSBE-ë për këtë 2020.
Pak ditë më parë në media qarkulluan lajme mbi një përplasje mes Ramës e Gent Cakajt ku flitej dhe për shkarkimin e Ministrit, por deri më tani asgjë nuk është faktuar, përveçse faktit se Rama i ka dhënë një post Bushatit e jo Ministrit për të cilin ‘luftoi’ jo për pak kohë me Ilir Metën.
Bushati u shkarkua nga posti i kryediplomatit më janar të vitit të kaluar e teksa mes Ramës e Metës vijonte beteja për emrin e Cakajt në krye të Ministrisë së Jashtme, detyrën e mori ‘de jure’ kryeministri Rama.
Me dekretimin e Ramës si Ministër i Jashtëm, kryeministri shkoi në hyrje të institucionit për të mbajtur “një ndër fjalimet e tij më të shkurtra” siç tha ai vetë. Rama i kaloi detyrën Gent Cakajt, i cili shihej në atë kohë si një figurë politike ende e re për të mbajtur në shpatulla peshën e diplomacisë.
Lëvizja e fundit e Ramës, i cili në atë kohë kundërshtonte çdo kritikë apo ngritje vetullash për Gent Cakajn, duket sikur është ‘gëlltitur’ sot me emërimin e Bushatit si i dërguari i posaçëm për kryesimin e OSBE-së.
Ndërkohë për ta bërë edhe më zyrtare, emri i Bushatit është postuar edhe në faqen zyrtare të organizatës, si një ndër personat që do të drejtojë presidencën shqiptare.
Pas përplasjeve të forta mes Ramës e Bushatit, e deklarimeve kritike të ish- Ministrit të Jashtëm, dukshëm ka ndodhur një kthesë e cila ende nuk ka dalë në dritë.
Diskutime rreth kësaj post