Analisti Artur Zheji ka komentuar lëvizjet e fundit në qeverinë Rama. I ftuar në ABC, Zheji u shpreh se këto lëvizje nuk i sheh si të suksesshme pasi sipas tij ministrat nuk janë rezistent.
“Këta janë ministra më të lëvizshëm që ka pasur qeveria shqiptare. Nuk kanë një rezistencë, apo të ketë reagime për lëvizjen e tyre”, tha Zheji.
Po ashtu ai shtoi se lëvizjet e Ramës nuk janë rastësore: “Rama nuk vepron asnjëherë rastësisht, shkatërron për të ndërtuar diçka të re”, tha ai.
Zheji tha se kryeministri Edi Rama ia arriti qëllimit për të përçarë opozitën.
“Kjo nuk është një metodë e mirë është rraskapitëse. Nuk është një humbje e madhe që lëviz Loli ke Coli, apo Coli ke Loli. Kemi parë që çdo akses apo lëvizje e bën vet. Jemi në pushtetin e një njeriu shumë të zotë. Por askush nuk e mendonte që do t’i fitonte disa sfida radhazi dhe do të arrinte të përçante opozitën.
Por sot ndoshta politikanët nuk po e kuptojnë që shqiptarët i shmangen politikës, janë përqendruar tek problemet e veta. Ne po jetojmë në periudhën e telenovelave. Por sot nervi i popullit tonë është i këputur dhe kjo sjell edhe reagimin indiferencial të tyre. Për fat të keq opozita nuk ka arritur që me nervin e këputur të prodhojë masë”, tha Zheji.
Më tej Zheji tha se kryeministri Rama e injoron kreun e PD-së duke i zbehur në njëfarë mënyre edhe rëndësinë.
“Lulzim Basha nuk është akoma një lider politik, por një kryetar partie që ka një pushtet që influencon tek pjesa gri. 40% e shqiptarëve po bëhen gati të shkojnë tek zona gri. Rama duke dashur që ta zbehi Bashën, përdor teknikën e injorimit, e cilëson atë asgjëbërës. Por nuk është ashtu. Basha së bashku me hijen e Berishës janë prezent akoma”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post