Presidentja e KE, Ursula von der Leyen tha se shpreson që Shqipëria të ulet në tryezë me BE para fundit të vitit për të nisur procesin e negociatave për anëtarësim. Ndërsa Rama tha se tani nuk kanë më përgatitje për dasëm, por vetëm deklarata dashurie sepse dasmën e kanë në dorë krushqit.
Pyetje: Duket e largët zgjidhja e problemit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Që Shqipëria të mos mbetet peng, a jeni e mendimit se duhet një ndarje mes RMV dhe Shqipërisë për konferencën e parë ndërqeveritare?
Von der Leyen: Ne kemi punuar fort për çeljen e kësaj konference të parë ndërqeveritare dhe dua të riktheksoj faktin që keni kryer detyrat tuaja dhe do të bëjmë gjithcka është e mundur që të kapërcejmë pengesat. Shpresoj shumë që të mund të fillojmë me konferencën e parë ndërqeveritare para fundit të këtij viti. Ky është synimi ynë.
Rama: Presidentja e përsëriti që para përfundimit të vitit të kryhet konferenca e parë ndërqeveritare që Shqipëria të ulet në tryezë me BE dhe të nisë negociatat për anëtarësim. Sa më takon mua, e kam thënë dhe më parë dhe e përsëris, nuk vë më bast për asnjë datë, për asnjë afat dhe pres me qetësinë e plotë si rastin kur ndodh dhe nuk ndodh. Jemi përgatitur disa herë për dasëm dhe krushqit nuk janë paraqitur. Tani nuk përgatitemi për dasëm, i bëjmë deklaratat e dashurisë por se kur ndodh dasma, e kanë në dorë krushqit. E kemi në dorë të bëjmë vetëm punën tonë dhe këtë nuk e bëjmë se na e imponon Brukseli, Parisi apo Europa e bashkuar, por e ardhmja e fëmijëve tanë. Është bekim i fëmijëve tanë që lindin dhe rriten në mes të këtij kontinenti dhe një mur s’na ndan nga hapësira më e mirë që njerëzimi ka organizuar për paqen dhe sigurinë që është BE. Imagjinoni sikur të ishim në një kontinent tjetër apo shkretërira, ky është fati ynë dhe bekimi ynë, do shfrytëzojmë maksimalisht dijen, eksperiencën e BE përmes procesit se është i pazëvendësueshëm për tu rritur vetë, për tu modernizuar, për shtetin e së drejtës dhe këto na duhen për veten tonë, për fëmijët tanë. Nuk na duhen për partnerët tanë se ata i kanë këto standarde. Pastaj hapen apo jo konferencat dhe kapitujt, kjo është çështje e BE, jo e Komisionit, por një anëtari të familjes europiane që gdhihet me inat për një tjetër dhe merr peng edhe një tjetër. Kemi kaq shumë gjëra të tjera për të bërë sa nuk duhet të humbasim fokusin, durimin apo qetësinë, por duhet të vazhdojmë përpara.
Diskutime rreth kësaj post