Kryeministri Edi Rama tha në Asamblenë e PS se koalicioni i majtë është gati për një mandat të dytë.
Ai theksoi se PS mund të dalë edhe vetëm në zgjedhje dhe ti fitojë ato, por sipas tij do të ishte një qeverisje pa frymëmarrje afatgjatë.
“Shumë kush thotë të dalim vetëm. Shumë thonë ‘ata na nxorrën bojën’. Kjo është strategjike. Çfarë ka fituar Shqipëria nga ky koalicion? E lëmë pjesën se si mund të ishin bërë ndryshe shumë gjëra. Për mua sot nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, janë sistemet që korruptojnë njerëzit. Ne duhet ta bëjmë kontaktin e njeriut me djallin e korrupsionit të pamundur. Gjithë këto reforma nuk do ishin bërë nëse nuk do kishim këtë koalicion.
Kjo nuk është një çështje Dinamo me Partizanin. Ne duam ta fitojmë kampionatin, nuk duam ta fitojë LSI-ja. Është një konkurrencë e shëndetshme. Do thoni ju pse nuk e thonë ata? Normalisht i madhi i bie të thotë çfarë të dojë, i vogli i takon të mendohet. Unë jam besimplotë se ne do të shkojmë së bashku dhe pavarësisht të gjithave dua që të gjithë ta kuptojnë se kjo është një aleancë strategjike për të ardhmen.
Mund të dalim vetëm dhe të fitojmë vetëm, por është një qeverisje pa frymëmarrje afatgjatë”,tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post