Megjithëse zgjedhjet vendore zhvillohen në 2019-ën, kohë kur mbaron mandati i të zgjedhurve vendorë nga zgjedhjet e 2015-ës, duket se Partia Socialiste ka nisur testimet e emrave në disa prej bashkive kryesore në vend.
Burime nga kjo parti bënë të ditur se testimi po kryhet nga strukturat partiake dhe deputetët, ndërsa aktualisht vëmendja është përqëndruar te bashkia e Shkodrës dhe e Elbasanit.
Syri.net ka mësuar se për Bashkinë e Shkodrës, e cila drejtohet nga Voltana Ademi, përfaqësuese e PD-së, Rama po teston Senida Mesin, zv.kryeministren dhe deputeten socialiste të qarkut të Shkodrës. Mesi hyri në skenën politike pak para zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017, duke u konsideruar një nga prurjet e reja politike të Ramës, ndërsa nuk kishte eksperiencë politike të mëparshme. Burimet shprehen se Mesi, të paktën deri më sot, konsiderohet si kandidatja kryesore e PS-së, për bashkinë e Shkodrës, madje që përmes saj të marrin në dorë frenat e bashkisë më të madhe në Shqipërinë veriore.
Ndërkohë, një tjetër emër që po testohet është ai i Ilir Bejtja, ish-deputet i PS-së dhe ish-zv.ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës. Bejtja, sipas burimeve nga PS, është një prej kandidatëve që mund të rivalizojnë kryebashkiakun e Elbasanit Qazim Sejdini, karriera politike e të cilit duket se do të mbyllet në zgjedhjet e 2019-ës.
Syri.net ka mësuar se emri i Bejtjes, ashtu si edhe Mesi në Shkodër, po testohet në Bashkinë e Elbasanit, duke qenë një ndër kandidatët kryesorë për zgjedhjet e 2019-ës.
Shkodra dhe Elbasani përbëjnë dy nga bashkitë më të rëndësishme në vend, pas Tiranës dhe Durrësit, kjo jo vetëm për shkak të shtrirjes dhe numrit të lartë të banorëve, por edhe pozicionit të tyre gjeografik. /gjergji koja-syri.net/
Diskutime rreth kësaj post