Në një intervistë për Jerusalem Post, kryeministri Rama ka bërë një rezyme të hebrenjve në Shqipëri, duke folur në kuadër të një muzeu të “Besës”, i cili do t’i kushtohet virtytit shqiptar të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sipas Kongresit Botëror Hebre, në Shqipëri jetojnë 40 deri në 50 hebrenj nga një popullsi prej 2,87 milionë banorësh në vitin 2017.
Rama ka thënë se komuniteti hebre në Shqipëri është shumë i vogël, pasi shumica e tyre u zhvendosën në Izrael pas rënies së regjimit diktatorial.
I pyetur për marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Izraelit, Rama tha se ”për fat të mirë, marrëdhëniet janë të shkëlqyera, por jo thelbësore në kuptimin që mund të ishin shumë më të mëdha, më të thella dhe më të rëndësishme, sepse lidhja është shumë e fortë”.
Ai shtoi se Shqipëria shpreson “të bindë më shumë politikanë hebrenj që të angazhohen më shumë në Shqipëri, sepse ka shumë mundësi”.
Kryeministri Rama gjithashtu shpreson që një numër më i madh turistësh nga Izraeli dhe bota hebraike të vijnë në Shqipëri, pasi fluturimi direkt nga Izraeli zgjat pak më shumë se dy orë, raporton ATSH, referuar Jerusalem Post.
Por interesant ka qenë një fakt pak i njohur deri më sot.
Ai përmendi se në vitet 1930, një delegacion i hebrenjve amerikanë organizoi një delegacion në Shqipëri ku ata takuan mbretin dhe pyetën nëse Shqipëria ishte e prirur t’u jepte hebrenjve disa toka për të krijuar vendbanime.
Kryeministri Rama tha se ekziston një raport në arkivin e Kongresit që fakton vizitën.
“Është mahnitëse. Aty thuhet se mbreti ofroi katër blloqe të mëdha në breg të detit të Shqipërisë, për të pasur katër vendbanime për hebrenjtë. Flitet gjithashtu për bujarinë, dashamirësinë dhe shpejtësinë me të cilën i priti qeveria shqiptare”, tha Rama.
Ata shkruan se pas vizitës në Shqipëri, ”besojmë se Shqipëria mund të jetë toka jonë rezervë derisa të kthehemi në tokën tonë”.
Rama është futur dhe në gjeopolitikë, duke thënë: “Dëshiroj shumë që Arabia Saudite të jetë vendi i ardhshëm që do të krijojë lidhje zyrtare me Izraelin, paradoksalisht, hebrenjtë dhe myslimanët kanë një shqetësim të përbashkët, që është Irani”- tha ai.
Diskutime rreth kësaj post