Janë 400 familje në Fushë Krujë, të prekura nga përmbytjet masive të nëntorit, që në këto ditë të fundit të 2016-s do të marrin dëmshpërblimin nga qeveria.
Ndërsa përmendi borxhet e lëna pas nga qeveria e shkuar për familjet e përmbytura ndër vite, kryeministri Rama tha se përveç fatkeqësisë natyrore, shkaktarë për dëmet prej miliona lekë janë bërë ndërtimet pa kriter, shpesh herë edhe mbi lumenjtë.
“Në Shqipërinë e këtyre 20 viteve ndodhi ajo që s’kish ndodhur as në Shqipërinë e kohës së Skënderbeut, që njerëzit të ndërtonin mbi lumë se iu thanë: ndërtoni kudo se është bereqet. Për fat të keq, gjithë ato investime e shpenzime e kursime gjaku e mundi të madh i merr lumi në kohë të caktuar. Ajo që është bërë me Krujën është e pashembullt në histori. Siç ia hëngri malet Saliu Krujës, asnjë sulltan s’ia hëngri. Malet i gjetën aty dhe i lanë aty, ndërkohë që një zonë kaq e rëndësishme e historisë së Shqipërisë dhe pikë e bukur nga natyra, në 20 vjet u kthye në një platformë guroresh e çimentoje. I themi sot të gjitha familjeve që pësuan dëme nga 100 mijë lekë deri në 6milionë, se nuk i harruam por para mbylljes së vitit do t’i dëmshpërblejmë një për një”, tha Rama.
Kryeministri premtoi për banorët ndërtimin e rrugës që lidh Thumanën me Krujën, projekt për të cilin buxheti është gati dhe punimet do të nisin vitin e ardhshëm.
“Do fillojmë rrugën e Thumanës me Krujën, që sot është një shteg i pakalueshëm e që ka izoluar një zonë të tërë. Projekti është përfshirë në buxhetin e 2017-s”, tha Rama.
Kryeministri premtoi edhe ndërtimin e nënstacionit të Krujës, por pa dhënë një datë për nisjen e projektit. “Edhe këtu ka nevojë për nënstacion dhe nuk është bërë. Por si do bëhet? Me çfarë? Do financojmë projektin e nënstacionit se sot kompania e ka këtë mundësi, pasi njerzit paguajnë për atë që konsumojnë”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post