Nga Andi Bushati
Edi Rama ka vënë sot në lojë kredibilitetin e tij për t’i dhënë sadopak besueshmëri një fabule të dalë boje. Ai ka shkuar të firmosë peticionin pro vettingut, pasi ky proces të cilit i dhanë borxh fytyrën e tyre anëtarët e shoqërisë civile të shitur tek Erion Veliaj, u diskreditua publikisht si një manipulim i shëmtuar.
Fillimisht disa televizione lokale e denoncuan këtë manovër propagandistike të organizuar keq nga qeveria.
Më pas, emisioni “Ta paekspozuarit” i Ylli Rakipit, i nxorri krejtësisht bojën duke provuar se nën çadrat e Velisë mund të firmoste një person edhe 10 herë, pa kartë identiteti dhe pa asnjë dokument identifikues.
Pra me fakte dhe prova u vërtetua ajo që dyshohej që në fillim, se kjo lëvizje, e ngjashme me ato të aktorëve të humorit që mblidhte dikur Jozefina Topalli për të propoganduar se PS po pengon integrimin në BE, po bëhej kundër opozitës (lexo poshte/ Lajme/Lapsi.al).
Natyrisht Edi Rama është në të drejtën e tij të pretendojë se protesta e PD-së po bëhet për të bllokuar reformën në drejtësi. Ai është legjitim kur kërkon të bëjë politikë me këtë dhe të anashkalojë kërkesën parësore të demokratëve për zgjedhje të lira. Ai është ndihmuar jo pak në këtë strategji edhe nga vetë Basha i cili e shtoi në mënyrë absurde pengimin e vettingut në shportën e kushteve që duhen negociuar.
Por, ajo që është e turpshme dhe e pakuptueshme tek Rama qëndron në faktin se pse ai u detyrua të përzgjedhë një mënyrë kaq banale për të përçuar mesazhin e tij? Pse ai u desh ta asociojë nënshkrimin e vet, me një manovër të dalë boje? Pse ai duhet të firmoste në një farsë që tashmë shihet me përçmim dhe tallje nga publiku?
Këto pyetje bëhen edhe më të mprehta po të mendosh se porcesi i vettingut është një gjë shumë më serioze sesa tentimi për ta përdorur atë si një manovër politike për të zgjidhur hallin e ditës. Se reforma që kjo shumicë e ka shpallur prioritetin e prioriteteve nuk mund të kthehet në mjet të luftës politike mes palëve. Se kauza që pretendon se do të sjellë një shoqëri më të pastër dhe më të drejtë, nuk mund të mbrohet me sahanlëpirës që flasin në emër të shoqërisë civile.
Përdorimi i saj për propagandë nuk njollos vetëm Ramën dhe Veliajn që e organizuan, nuk turpëron vetëm ata që këmbëngulin me firmosjen e kësaj estrade, por ajo vë në lojë edhe reputacionin e ndërkombëtarëve. Ajo pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve, që e mbështet reformën, është pro saj, sepse në të mirë apo në të keq, e mendon si një produkt të perëndimor kundër politikës shqiptare. Dhe lejimi i një pjese të kësaj politike për të bërë propagandë kaq bajate me vettingun, e rënon besimin tek kjo paketë e sponsorizuar nga Uashingtoni dhe Brukseli.
Prandaj zgjedhja e sotme e Ramës për tu futur në atë çadër turpi nuk qe vetëm një autogol. Ajo nuk qe vetëm një hap i gabuar më shumë, për t’i dhënë besueshmëri një farse që u diskreditua që në fillim(lexo poshte/ Lajme/Lapsi.al).
Ajo është njëkohësisht edhe një provë se Rama nuk e ka seriozisht përbetimin për reformën në drejtësi. Nëse ai e përdor shpesh atë si një gogol për të trembur kundërshtarët, nëse ai fshihet pas saj për të justifikuar dështimet e këtij mandati, ai dha këtë herë një tjetër dëshmi se nuk e ka seriozisht. Se ai është i gatshëm ta njollosë legjitimitetin e kësaj reforme edhe përmes atyre çadrave të dala boje, vetëm për ti përdorur kundër opozitës.
Pikërisht ky është lajmi i keq i nënshkrimit të sotëm të kryeministrit.
Diskutime rreth kësaj post