Pas takimit me ndërtuesit në Durrës, kryeministri Rama tha se ata do ti kryejnë vetë riparimet e banesave përndryshe do t’i çojë vetë ai në ndjekje penale.
Në një prononcim për mediat Rama tha se është detyra e ndërtuesve të bëjnë riparimet e banesave të dëmtuara ndërsa shtoi se nuk është punë e qeverisë të fusë njerëzit në burg.
“Do ti ndërtojnë vetë për t’ju kthyer mbrapsht dëmin viktimave të këtij dëmi dhe të mos fusin duart në buxhetin e shtetit. Të riparohen ato mure menjëherë për ndryshe ata do ti çoj unë në ndjekje penale, do jem unë dëshmitar. Qeveria ka për detyrë që të kthejë nëpër shtëpia njerëzit me çdo kusht. Ne do ti çojmë ata në ndjekje penale, unë i kam thënë sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, prokurores së Përgjithshme që nuk ka hetim më të lehtë se ky, merr lejen e ndërtimit merr dhe faktet. Lejet e ekzekutuara jashtë lejes janë të dënueshme, dhe do shikohet kush e ka dhënë leje për ta futur në hipotekë. Ata që e kanë hipotekuar jashtë kritereve të lejes do të mbajnë përgjegjëse. Unë dua thjesht dhe vetëm që këtu të jemi të vërtetë dhe të drejtë.”, Rama.
Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Durrësit kanë nisur hetimet të cilat i referohet tërmetit të 26 nëntorit me shkatërrimet e mëdha që solli kryesisht në qytetin e Durrësit.
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës, “ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve”.
Ndërkohë, mësohet se Prokuroria e Durrësit ka regjistruar mëngjesin e së hënës çështjen penale. Prokuroria dyshon se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave përgjegjës, si dhe nga mos përmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. /Opinion
Diskutime rreth kësaj post