Nga Enkel Demi
Kanë kaluar katër vjet nga 1 prilli i mirënjohur i vitit 2013. Koalicioni që u thurr at’botë në Shkodër nuk mundi të vendosë mish. U tret, falë dietave të forta dhe mosmarrëveshjeve. Një pjesë e gazetarëve mundohen ta rrëmojnë armiqësinë e krijuar në qeveri tek numrat, interesat e prishura vendore apo qendrore, kombinimet e politikës së ditës e kështu me radhë. Madje, edhe njeriu i çadrës ka 40 ditë që pret, sepse e sheh krizën thjesht aritmetikë.
Në fakt, sherri është i thellë dhe ka lëshuar rrënjë në urrejtje. Ilir Meta dhe Edi Rama urrehen. Nuk kanë harruar asgjë, kurrë nuk i kanë vënë kapak mërisë së tyre. 21 janari, “një votë, një pallat” janë vetëm ato që shquhen dritës për diell. Këta dy njerëz do qetësohen vetëm, kur të shohin tjetrin të përmbysur. Ani, se në Shqipëri mendojnë që politika nuk ka ndjenja, ky është rasti që ka, madje njeh maja të këtilla emocionale, siç është urrejtja.
Atë 1 prill të vitit 2013 të dy i mbajti shpresa që pushteti i ardhshëm, ndarja e tij përsëmbari, kotja që të fal qeverisja do zbuste këtë ndjenjë kaq të fuqishme dhe mund ta vinte në gjumë, në harresë. Por, 1 prilli i rrenave qëlloi i tillë edhe në datën 2 prill dhe më tej, deri sot, kur janë thurrur katër vjet në këtë rrjetë të tmerrshme urrejtje. Nuk e shohin sho-shoqin më sy, e kanë zët, ndaj dhe nuk duan një marrëveshje të re. Lëvizja Socialiste për Integrim po bën gjithçka mos ta ketë këtë marrëveshje, Edi Rama nuk po luan asnjë gur që ta ketë këtë marrëveshje. Garantët e pikëpjekjes së katër viteve të shkuara kanë rënë. Nar Koka dje e ngrysi në polici, Koço Kokëdhima u shpall armik. Tani kanë mbetur vetëm ata të dy, të cilët ajo ngjarje e Shkodrës i lidhi jo në aleancë, por në vargonj torture. Tash, ora ka rënë. Janë të lirë të urrehen për qejf.
E mira është që askush mos të kërkojë më ndërmjetësinë e një marrëveshje, e cila nuk kapërdihet as në mëngjes, as në mbrëmje. Urrejtja e dy udhëheqësve është bërë kapilare dhe ka zënë çdo qelizë të dy partive. Socialistët dhe lësëistët atje poshtë e shtyjnë ditën duke i ngritur kurthe njëri-tjetrit. Diku bllokojnë buxhete bashkish, diku ndihmën ekonomike, diku i grabisin organizatat bazë, diku pushojnë nga puna drejtorë të mëdhenj a të vegjël. Pushteti është ndarë në llokma, ku të dyja palët po sillen me to si “tokë e xanun”. Askush nuk hyn tek pjesa e tjetrit, thua se janë ngritur klonet e kufirit të dikurshëm. Ministrat e qeverisë qysh në krye kanë qenë në skuadra të ndryshme, ndërsa kryetari i qeverisë ka katër vjet që duron si me qen’ kinez që letrat e ca kabineteve para se të shkojnë tek ai, kalojnë nga kryesia e Kuvendit.
Ndaj, kësaj here ka vetëm një mënyrë që kjo urrejtje mos të mbijë si bari i keq i fierit. Mos t’ia lypë kush një marrëveshje të re askujt. Palët të gjejnë guximin të ndryshojnë ligjin zgjedhor. E kthejnë Shqipërinë një zonë elektorale, caktojnë një prag dhe shkohet në zgjedhje. Pas tyre, numrat e vërtetë mund të diktojnë aleanca, qeveri me bazë të gjerë ose brenda së majtës, por gjithçka do të diktohet nga vullneti i qytetarëve i shprehur në votë dhe jo nga ndjenjat e dy njerëzve, sado të larta të jenë ndjenjat dhe sado të lartë të jenë njerëzit, tek e fundit janë vetëm dy shqiptarë që thjesht urrehen dhe kjo nuk është rrenë 1 prilli. 27.al
Diskutime rreth kësaj post