Kryeministri Edi Rama është ndalur paraditen e kësaj të diele në një takim me banorët e Vorës, një nga zonat periferike të kryeqytetit.
Në takim, ai ka përsëritur të njëtën thirrje të të gjithë kësaj fushate, atë të bashkimit të shqiptarëve për të bërë një revolucion kryesisht në administratën shtetërore.
Më tej, Rama sulmoi sërish partitë e vogla, politikanët e të cilëve – siç tha, – me të mbaruar zgjedhjet dhe falë votave që kanë siguruar kërkojnë tepsinë. Këtu nuk la pa përmendur edhe Fatmir Mediun, për të cilin tha se “e bëri Vorën film Hollywoodi me një hedhje në erë”, arsye pse nuk duhet t’i jepet vota.
Në Vorë, një nga çështjet që u prek nga kryeministri ishin legalizimet dhe zonat ende të paformalizuara, duke theksuar se atje ka një zonë kadastrale të paregjistruar, ndaj dhe bëri thirrje se duhet një sistem i ri.
“Shteti që duam të bëjmë ne, – tha Rama, – ka nevojë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve”.
Rama foli edhe për LSI-në.
“Nuk e di pse i shqetëson fakti që duam të bëjmë shtet dhe një administratë për qytetarët. Duhet të bëjmë legalizime e hipoteka, jo ndarje unë dua patentat e tjetri pastrueset. Kështu nuk bëhet shtet. Unë nuk them se ka faj një parti e caktuar sepse të gjitha kanë qenë të përfshira në këtë histori në këto 25 vite. Unë jam krenar për punën që ka bërë koalicioni dhe nuk e kuptoj pse nuk krenohen dhe ata. Reforma në administratë dhe ajo në arsim janë shtetbërëse. Ne nuk jemi në luftë me asnjeri, thjesht jemi në luftë për shqiptarët”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post