Kryeministri Edi Rama pritet të bëjë ndryshime rrënjësore në qeveri gjatë muajit shtator. Edhe pse qytetarët shqiptarë i dhanë 74 mandate deputetësh në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, mjaftueshëm për të qeverisur edhe për një mandat të tretë Shqipërinë, kryeministri Rama duket se nuk është i kënaqur me punën e disa prej ministrave aktualë.
Në 25 prill Rama la jashtë Parlamentit shumë figura të vjetra që kanë bërë historinë në Partinë Socialiste, duke i zëvendësuar me emra të rinj, ndërkohë që spastrime pritet të këtë edhe në kabinet qeveritar. Sinjalin e ka dhënë ditën e djeshme kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili gjatë një prononcimi shprehu bindjen se në qeverinë “Rama 3” do të ketë figura të reja.
“Është kryeministri ai që do të vijë me propozimet e tij konkrete, të cilat ato duhet dhe gjithmonë kanë bërë një ndërthurje mes eksperiencave të konsoliduara dhe kontributeve të reja për t’i dhënë qeverisë sa më shumë energji dhe sa më shumë grintë për të çuar më përpara një sërë reformash dhe për të startuar reforma të reja”, – deklaroi ai.
Ndërkohë numri 2 i Partisë Socialiste zbuloi se kur do të mblidhet Asambleja Kombëtare e PS, aty ku siç tha ai, pritet që kryeministri Rama të vendosë se kush do e drejtojë Kuvendin dhe për 4 vitet e ardhshme.
“Si praktikë, gjithmonë në Asamblenë Kombëtare të fund gushtit, kryetari i partisë i cili sipas rregullave të partisë sonë ka atributin për të bërë propozime konkrete”, – nënvizoi Balla. Kjo deklaratë tregon se në shtator pritet të kemi surpriza sa i takon qeverisë së re, ku pjesa dërmues e ministrave aktualë rrezikojnë të largohen.
Ja emrat që rrezikojnë largimin
Gazeta i ka bërë një skaner situatës brenda Partisë Socialiste dhe përfundimi është që emra ministrash si Anila Denaj, Eduard Shalsi, Pandeli Majko, Elva Margariti, Blendi Çuçi, Niko Peleshi apo zv/kryeministri Erion Braçe, rrezikojnë të mos jenë pjesë e qeverisë “Rama 3”. Janë një sërë arsyesh se përse këta emra pritet të bëhen “kurban”, ku kryesorja është se ata janë lënë në hije nga shefi i qeverisë. Kryeministri Edi Rama mban pas vetes, duke i promovuar dhe marrë në vizitat zyrtare brenda dhe jashtë vendit, ministra si Blinda Balluku, Arben Ahmetaj, Ogerta Manastirliu dhe Evis Kushi, ndërkohë që anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar nuk shihen gjëkundi.
Mësohet se ministrat pasivë, kryeministri Rama pritet t’i zëvendësojë me emra të rinj qofshin këta deputetë apo prurje të reja, ndërsa të “vjetrit” rrezikojnë largimin. Ndërkohë arsyeja tjetër që do ketë largim është performanca e dobët, siç mund të thuhet për ministrin e Brendshëm, Blendi Çuçi, i cili për shkak të ngjarjeve të fundit kriminale rrezikon postin. Ndërsa ministrja e Financave, Anila Denaj, rrezikon postin dhe për rrjedhojë pritet të mos jetë pjesë e qeverisë “Rama 3” për shkak të përplasjeve që ka me drejtuesin politik të PS në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri. Ky i fundit e akuzoi Denajn se theu urdhrin e partisë gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit, ndërkohë që ka shfaqur interes për të qenë pjesë e qeverisë së re në shtator. Sakaq, zoti Majko pritet të penalizohet për shkak se nuk u zgjodh dot deputet, ndërsa zoti Braçe për shkak se në disa raste është shfaqur kritik ndaj punëve të qeverisë.
Diskutime rreth kësaj post