Kryeministri Edi Rama vijon të mbajë në akth deputetët dhe ministrat sa u takon angazhimeve të tyre në të ardhmen në nivel partie dhe qeverisje. Pak ditë më parë u bë me dije nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla se socialistët nuk do të humbisnin kohë dhe në fund të muajit gusht do të thërrisnin Asamblenë PS për t’i dhënë bekimin qeverisë së re “Rama 3”. Por sot që flasim nuk ka ende një datë për mbajtjen e Asamblesë Kombëtare edhe pse në korridoret e selisë rozë thuhet se janë tre data që qarkullojnë, por që nuk ka asnjë zyrtare. Ndërkohë gazeta u interesua dhe foli me Sekretarin Organizativ të Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi, i cili deklaroi se nuk e kanë ende një datë se kur do të mblidhet Asambleja. “Nuk e kemi vendosur akoma”, deklaroi Pëllumbi.
Por mungesa e një date se kur do të mblidhet Asambleja Kombëtare e PS, ka rritur ndjeshëm ankthin tek ministrat aktualë dhe deputetët e rinj e të vjetër socialistë. Sipas informacioneve, disa nga ministrat aktualë që janë në pikëpyetje i kanë sytë nga Asambleja për të mësuar se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre. Ndërkohë që në të njëjtën pozitë ndodhen edhe deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit që kanë ambicie apo iu është premtuar se do të jenë anëtar të qeverisë “Rama 3”. Kështu që fakti që kryeministri Edi Rama nuk e ka vendosur ende datën se kur do të thërrasë Asamblenë e Partisë Socialistë, ka shtuar ankthin në radhët e ministrave dhe deputetëve të PS. Dhe sikur të mos mjaftonte ky terr informativ se kur do të mblidhet Asambleja, burime nga selia rozë i thanë gazetës se ministrat ndihen në ankth edhe për zërat e një bashkëqeverisje PS-PD dhe faktin se kryeministri Rama ka vendosur që emrat, pra deputetët që morën më shumë vota në 25 prill, do t’i katapultojë në qeverinë e re. Ndërkohë mbetet e paqartë struktura që do të ketë kabineti.
Nëse shohim qëndrimet e kryeministrit në këto ditë vere, rezulton se ai promovon vetëm 4 emra. E para është ministrja e Transportit, Belinda Balluku. Kjo e fundit çdo ditë shfaqet në media duke inspektuar rrugë dhe në shumë raste ka qenë në krah të Ramës. Por në PS po flitet se ajo mund të jetë kandidate për Bashkinë e Tiranës nëse kemi zgjedhje të reja vendore. Gjykata Kushtetuese do të vendosë në tetor dhe shanset që të ripërsëriten zgjedhjet janë të mëdha. Balluku doli deputetja më e votuar në Tiranë dhe thuhet se ajo mund të zëvendësojë Veliajn. Një emër tjetër që gëzon besimin e kryeministrit është ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Ajo i ka qëndruar linjës së shefit të qeverisë sa i takon menaxhimit të pandemisë dhe duke qenë se jemi në një situatë ende delikate, mund të thuhet se do jetë në postin mban. Ndërkohë emri i tretë që po jep sinjale kohët e fundit se mund të mos lëvizë është ministrja e Arsimit, Evis Kushi. Kjo e fundit gëzon mbështetjen e kreut të grupit të PS, Taulant Balla dhe mund të thuhet se është më pak e rrezikuar nga furtuna në shtator. Po ashtu edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gëzon simpatinë e kryeministrit. Këta 4 ministra promovohen dhe mbështeten në publik nga shefi i qeverisë, ndërsa për emrat e tjerë kanë nisur të bien kambanat e alarmit.
Diskutime rreth kësaj post