Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer dje në kritika shumë të forta ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, efektivëve të uniformave blu dhe drejtueses së SHÇBA. Gjatë një takimi me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Rama i ka kërkuar publikisht llogari Ardi Veliut se përse nuk po arrestohet Klement Balili. Në këtë kontekst, shefi i qeverisë u shpreh qartë kur i kërkoi kryepolicit që të godasë të fortët, duke bërë thirrje në mënyrë të veçantë për arrestimin e Klement Balilit. Sipas Ramës, arrestimi i Balilit duhet bërë para se të vijë ambasadorja e re e SHBA. “Unë nuk dua, i dashur drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit që të presim të vijë ambasadorja e re amerikane për të na kujtuar gjatë ndonjë fjalimi përshëndetës që Klement Balili nuk është kapur akoma. Ashtu sikundër, nuk dua që të vazhdojnë të rrinë në detyrë, drejtorë dhe shefa komisariatesh, në zona apo në pika ku dinjiteti për të cilin fola vihet në diskutim, jo vetëm nga “të fortët” dhe nga makinat e tyre, por as nga kundërvajtësit që gërryejnë lumenjtë e male, që presin pemë, që ndërtojnë tek-tuk ende, por ndërtojnë, pa leje, që hedhin plehra dhe inerte, në vende të paautorizuar dhe me radhë”, deklaroi ai.
Luftë me zero tolerancë ndaj të fortëve të “Bllokut”
Kryeministri Edi Rama më tej gjatë fjalë së tij, kërkoi më shumë angazhim të uniformave blu në luftën ndaj krimit, sidomos ndaj të fortëve të “Bllokut”, siç i etiketoi ai. Madje, duke komentuar vrasjen në Bllok, Rama kërkoi nga Policia e Shtetit që të godasë të gjithë të fortët dhe kundërvajtësit. “Kam ardhur këtu sepse ofensiva politike dhe mediatike për të krijuar te njerëzit e këtij vendi perceptimin e pasigurisë dhe të kriminalitetit të dalë jashtë kontrollit, meriton një kundërpërgjigje dhe si kundërpërgjigje shumëfishimin imediat të goditjeve ndaj krimit dhe ndaj çdo shkelësi të ligjit, që nga “të fortët” e llojit të atyre që sollën përgjakje në mes të bllokut në Tiranë, deri te kundërvajtësit që shkelin rregullat e qarkullimit, dëmtojnë mjedisin apo cenojnë në një formë, ose në një tjetër qetësinë e komunitetit. Kriza ulëritëse e politikës që synon të helmojë gjakun dhe errësojë sytë e publikut është një mundësi që duhet shfrytëzuar për të dhënë gjithçka, një shtysë për të mbledhur të gjitha fuqitë dhe ngjitur në një shkallë tjetër Policinë e Shtetit”, u shpreh ai.
Kritika SHÇBA
Kryeministri Edi Rama është shprehur i revoltuar edhe me SHÇBA. Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë i kërkoi llogari drejtuese së SHÇBA se përse nuk reagoi në kohë dhe përse nuk publikoi pamjet e kamerave të sigurisë së komisariatit në Krujë, kur u bënë publike akuzat e ish-oficerit Emiljano Nuhu. “Sot djali i deputetit është aty ku e ka çuar drejtësia, jo aty ku dje do ta kishte lënë partia. Ku ishte drejtori i SHÇBA kur shpifësi me uniformë e solli me shkrim shpifjen e tij? Pse nuk u veprua menjëherë për të bërë kontrollin e plotë kur letra u bë publike? Pse iu la një shpifësi tërë koha që të krijonte një vorbull pasi kishte hedhur shpifjen në kazanin e duhur dhe ia kishte mbathur. Kujt ia kishte borxh kjo trupë njerëzish, mosreagimin me kohë dhe me qartësi të SHÇBA ndaj agresionit që iu bë Policisë së Shtetit. Pse iu mohua publikut shqiptar e drejta për të parë të vërtetën në kamerat e komisariatit. Lidhur me të gjithë skenën e fantazuar, në pamjet e kamerave del qartë se e gjithë skena është një sajesë e tij fund e krye. Fakti është që kamerat iu dërguan prokurorisë, po nuk e justifikon gjithë atë baltë që mori Policia e Shtetit”, nënvizoi ai./Rigels Seliman
Diskutime rreth kësaj post