Kryeministri Edi Rama e konsideron në kundërshtim të plotë me të drejtën sovrane të Shqipërisë për t’u vetëqeverisur dhe me normat e bashkëjetesës europiane kërcënimet e Greqisë se do të bllokojë rrugën europen të vendit tonë nëse nuk lejohet betimi i kryetarit të zgjedhur të himarës, Fredi Beleri.
Në një tjetër intervistë për mediat greke, kësaj here për televizionin shtetëror ERT, Rama theksoi edhe një herë se kjo është çështje e drejtësisë.
“Greqia apo Athina mendon se topi është në këtë zyrë për këtë çështje, duke lënë të nënkuptohet që nëse topi nuk shkon në atë drejtim ku e do Athina, Athina do të hakmerret me Shqipërinë, duke penguar procesin e anëtarësimit në BE, – kjo është jo evropiane dhe kjo është shumë antike sipas meje. Nuk mund të bëjë vaki që njëri vend t’i tregojë tjetrit se si duhet të funksionojë në një rast konkret dhe çfarë duhet të bëjë në një rast konkret njëri apo tjetri për të zbatuar ligjin në vendin e vet”.
Gjithësesi ai theksoi se rasti i Belerit për shkak të specifikës që mbart nuk do të trajtohet ashtu siç e përcakton ligji kur një kryetar bashkie nuk arrin të betohet brenda afati 90 ditor.
“Ky është një rast shumë specifik dhe për këtë arsye unë i kam kërkuar departamentit ligjor këtu në Kryeministri që të japë opinionin se çfarë duhet të bëjmë ne dhe do të zbatojmë përsëri atë që është më e drejta. Unë do të isha i lehtësuar nëse ne do të mundeshim që t’i linim procesit gjyqësor mundësinë të përfundonte dhe në fund të procesit të dinim nga drejtësia, jo nga Greqia nëse ky njeri është i fajshëm apo është i pafajshëm”.
Vetë Belerin e konsideron një njeri të barabartë me gjithë shtetasit shqiptar dhe si i tillë ai duhet të përgjigjet po njësoj para ligjit.
“Zotëria është një qytetar i Republikës së Shqipërisë, që duhet të jetë i barabartë përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, por njëkohësisht duhet të përgjigjet përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë”.
Për të vërtetuar se ndalimi i tij nuk është aspak i motivuar nga përkatësia e kombësisë së tij ai solli rastin e kryetarit në detyrë të Himarës, Jorgo Goro.
“Tregojnë që këtu s’ka një përplasje mes shqiptarësh dhe grekësh. Këtu ka një bashkëjetesë krejt të arsyeshme dhe krejt normale”.
Gjithashtu për të treguar se drejtësia në Shqipëri ka nisur të funksionojë dhe se ajo nuk është e ndikuar prej tij solli edhe rastin e goditijes së disa zyrtarëve të lartë socialistë.
“Sot ish zëvendësi im është në kërkim. Janë 4 apo 5 kryetarë bashkish të Partisë Socialiste që janë në paraburgim, në pritje të daljes në gjyq për të njëjtën arsye:Vullnetin e kësaj drejtësie për të goditur pa parë se çfarë ngjyre ka, se afër kujt është apo se kë po lëndon nga pikëpamja politike apo nga pikëpamja financiare”.
Ai nuk i kurseu sërish vlerësimet për homologun e tij grek, ndërsa theksoi se pavarësisht gjithë debateve që kanë shoqëruar çështjen Beleri muajt e fundit ai vijon të mbetet një mik tij i sinqertë.
“Në Tiranë, në këtë zyrë, Greqia ka një mik, një mik të vërtetë, një mik të sinqertë. Unë jam kryeministri i Shqipërisë, nuk jam kryeministri i Greqisë dhe unë i shërbej interesave të Shqipërisë dhe jam në krye të një beteje historike që drejtësia në Shqipëri të bëjë drejtësi të barabartë për të gjithë”. tha ai.
Diskutime rreth kësaj post