Kryeministri Edi Rama ka lançuar dje projektin e shërbimeve që do të jepen vetëm online për qytetarët. Rama deklaroi dje se nga 1 janari i vitit 2020 do të nisë revolucioni dixhital për qytetarët. Do të ketë 472 shërbime që deri sot kërkohen në radhë nëpër sportele, do të kërkohen me aplikime online përmes smartfonit apo kompjuterit.
Rama bëri me dije se tanimë qytetarëve nuk do t’u kërkohen më dosje me dokumente shtetërore, por vetëm dokumente që janë individuale dhe të gjithë dokumentet shtetërorë të nevojshëm për dosjen do të sigurohen nga vetë administrata. Sipas kryeministrit, qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel për të marrë shërbimin në afatin e përcaktuar ligjor. R
ama është shprehur optimist dhe ka besimin e plotë që ky projekt i ri do të zhdukë të gjitha radhët për këto aplikime, do të shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim dhe të eliminojë masivisht ryshfetin.
“Kjo që do të ndodhë është një revolucion. Është e domosdoshme që njerëzit të vihen në dispozicion të këtij sistemi. Nuk është thjesht çështja e mundësisë së vetme e aplikimit për shërbime online, që njerëzit të mos jenë të detyruar të vijnë në sportel, por ta bëjnë aplikimin nga shtëpia në telefon. Ky është blloku i parë, në qershor do të ketë një të dytë, ndërsa në dhjetor të 2020 të gjitha shërbimet, me përjashtim të disave që e duan personin aty. Qytetarët do të aplikojnë dhe do të postojnë online vetëm dokumentet personale, një dokument banke, në vërtetim. Ndërsa ato që janë brenda për brenda shtetit do i merrni ju. Pra, kolona e dokumenteve të shtetit do të mbushet nga brenda administratës. Nëse vjen një qytetar dhe shtatë dokumente, ia kërkojmë deri sot të shkojë t’i marrë. Jam unë që garantoj që dokumentet të futen në aplikimin e tij dhe ai të marrë shërbimin në afatin ligjor dhe të paraqitet në filan datë për të marrë atë që kërkon. Qytetarët të shpëtojnë nga radha dhe ecejaket. Nëse ia dalim shkurtojmë kohë dhe tension nervor dhe eliminohet mundësia për ryshfet”, tha Rama.
Ai deklaroi mes të tjerash se në qershor do të hyjë online blloku i dytë i shërbimeve dhe deri në fund të vitit 2020 të gjitha shërbimet me pak përjashtime të paevitueshme dot, për shkak të nevojës së paraqitjes së personit për një aplikim.
Diskutime rreth kësaj post