Kryeministri Edi Rama jep lajmin për ardhjen e avionit të dytë i flotës së Air Albanias. Sipas tij, pas “Lasgushit”, edhe “Migjeni”, do të fluturojë në fillim vjeshte drejt Italisë me shërbime të standardeve të larta nga trupa shqiptare e stjuartëve.
“Pas “Lasgushit” që mbulon Stambollin, ja edhe “Migjeni”, avioni i dytë i flotës së Air Albanias që do të fluturojë në fillimvjeshtë drejt Italisë Boeing 737 i vitit 2016, me shërbim të standardeve të larta nga trupa shqiptare e stjuartëve, që nga ushqimi në bord që ishte harruar prej shumë vitesh për udhëtarët e Rinasit dhe me televizor për çdo pasagjer, si asnjëherë më parë”, shprehet kryeministri.
Rama shton se “tani vazhdoni shani e përqeshni që mos na marrin më sysh, ndërkohë që “Naimi” do t’i shtohet flotës në fund të vitit për destinacione të tjera europiane dhe më tej, do të vijë “Noli” për linjën direkte, Shqipëri-Amerikë”.
“Më tutje do të vazhdojë zgjerimi i flotës me të tjerë, bazuar mbi suksesin e fazës së parë, po më mirë i’a lemë kohës të na tregojë e të flasë Se gur gur bëhet muri dhe mur pas muri bëhet kalaja thotë Populli; po normal që çdo popull ka të paduruarit e të pagdhendurit e vet, kështu që rroftë puna se ajo mbetet, ndërsa llafet lum kush i duron deri kur t’i marrë era”, shprehet Rama.
Diskutime rreth kësaj post