Kryeministri Rama konfirmoi investimin prej miliardash të dhëndërit të ish-presidentit Trump në Sazan e Zvërnec, duke ironizuar kritikët e shpejtë sapo u dha lajmi për këtë zhvillim të ri në turizmin shqiptar.
“Këto ditë Jared Kushner, një sipërmarrës i madhe amerikan dhe dhëndër i ish-presidentit Trump shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri.
Po ata që na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm dhe për investimet e huaja direkte, sot flasin për rreziqet që i kanosen Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe. Delirojnë për rrezikun e shkatërrimin e një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë, përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës”, tha kryeministri Rama.
Deklarimet e kryeminstrit u bënë gjatë një mbledhjeje të Asamblesë socialiste në Gjirin e Lalzit.
Aty, Rama ironizoi dhe ata zëra që thoshin dikur se me ardhjen e Trumpit në qeverisjen amerikane, Rama do rrëzohet nga pushteti.
“Hija e ish-presidentit amerikan dhe frika provinciale në fakt nga zemërimi i tij…Ju kujtohet si thoshin atëherë kur u zgjodh për mua, por ja ku jam këtu. Sot i pengon ata më gojështhururit që t’i bashkëngjiten këtyre zërave dhe lëshojnë rrufe akuza e shpifje në këtë rast për mua, djalin e paudhë që doli nga thesi i parave të Sorosit, që kam hyrë në një megaaferë korruptive me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit”, tha Rama.
Ironia e Ramës, edhe me një sqarim serioz mes rreshtash, vijoi dhe në lidhje me resurset e dikurshme ushtarake, nxitur nga thirrja ukrainase për prodhim municionesh, gjë që riktheu idetë për rivënien në funksion të Uzinës së Poliçanit.
“Ushtria jonë bëhet rëndom objekt lajmesh e muhabetesh mediatike pa bereqet, për nxjerrjet nga plani i përhapjes i pronave e aseteve të degraduara, të panevojshme, të pakuptimta, që kanë mbetur si kokallat mbi tokë të kufomës së Ushtrisë Popullore të Enver Hoxhës, i cili do bënte luftë me superfuqitë e me tërë fuqitë ushtarake të planetit.
Në dijeni time, plani i asaj lufte ka dështuar dhe mesa i njoh unë programet e të gjitha partive në Shqipëri, nuk di që ndonjëra të ketë në plan t’i hapë luftë gjithë botës.
Janë bërë abuzime të mëdha në vite, patjetër, me mënyrën sesi janë përdorur ato prona që janë nxjerrë nga plani i përhapjes, kjo as nuk diskutohet, por ama nuk më rezulton që nga nxjerrja e tyre në vetvete ka ndodhur ndonjë hata për misionin e ushtrisë sonë.
Ashtu sikundër nuk më rezulton, patjetër, që ka ende prona dhe asete të degraduara ushtarake të cilat nuk do t’i duhen kurrë një ushtrie të NATO-s si e jona dhe janë shëmbëlltyra më kuptimplotë e një gjynahu të madh që nuk futen në shërbim të ekonomisë së turizmit dhe të agroturizmit, në radhë të parë, por edhe në shërbim të sektorëve të tjerë, të arsimit për shembull, por rrinë si fantazma sa në majë të maleve e sa afër deteve tona.
Në një bisedë që pata me disa kryetarë bashkish, jo të forcës sonë politike, Puka, Fushë-Arrëz, Memaliaj, zona të thella, diskutuam edhe për këtë; reparte ushtarake si fantazma të cilat bashkitë e zonave malore mund t’i kthejnë fare mirë në asete për të kërkuar mbrapsht investime nga emigrantët e këtyre zonave në fushën e turizmit apo agroturizmit. Madje absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, 200 milionë euro, rreth, në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për Marinë turistike dhe është pjesë e Programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej dy a tre vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata.
Unë nuk dua të komentoj, nuk e bëj asnjëherë, arsyet e atij hetimi, kjo nuk është puna ime, ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje, aq më tepër ta bësh këtë në emër të NATO-s dhe të sigurisë kombëtare, duke e bërë NATO-n të qeshë, kur e dëgjon këtë histori dhe duke ndërhyrë në kompetencën e një pushteti tjetër të pavarur, i cili është sovran në vendimmarrjet e veta për sigurinë kombëtare”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post