Vetëm disa orë pas intervistës së kryeministrit Rama në televizionin publik ERT kryesisht për burgimin e z. Beleri, marrëdhënieve greko-shqiptare dhe minoritetit grek në Shqipëri, vjen reagimi i diplomacisë greke, raporton TopChannel.
Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis, në një deklaratë për gazetarët grekë pas pjesëmarrjes së tij në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të BE-së “Gymnich” në Toledo, ka theksuar se është diskutuar edhe çështja e kryetarit të Bashkisë së Himarës.
“Çështja e mbajtjes së përkohshme në mënyrë të padrejtë të Fredi Belerit, dhe që pengon betimin e tij si kryetar i Bashkisë së Himarës, tashmë është ngritur nga Ministria e Jashtme, nga unë, në të gjitha forumet e mundshme. Të gjithë ministrat e vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Stoltenberg, janë informuar personalisht. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian gjithashtu janë informuar në mënyrë të plotë“- ka thënë ai.
“Pata mundësinë të bëja një diskutim të gjerë kokë më kokë me komisionerin përgjegjës për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, me të cilin ngritëm çështjet e Ballkanit Perëndimor. Greqia, siç e dini, ka marrë iniciativën për të përshpejtuar rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt familjes evropiane. Dhe 20 vjet pas Deklaratës historike të Selanikut, Greqia do të jetë gjithmonë mbështetje për këto vende sa i përket perspektivës së tyre evropiane.
Sidomos për çështjen e zotit Beleris, dua të theksoj se, pavarësisht nga çështja e vendimeve gjyqësore, pavarësisë së drejtësisë shqiptare, këtu shtrohet çështja e paraburgimit që e pengon atë të marrë detyrën. Kjo është një shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë, e shtetit të së Drejtës, e të drejtave politike të tij dhe të qytetarëve të Himarës që e zgjodhën atë.
Dhe dua të theksoj se kjo çështje, veçanërisht betimi dhe marrja e detyrës nga zoti Beleris, nuk ka të bëjë me funksionin gjyqësor në Shqipëri, por është thjesht një çështje vullneti politik, nga ana e qeverisë shqiptare. Dhe për këtë arsye, Greqia do të vazhdojë të shfrytëzojë çdo mundësi, në mënyrë që të mundësohet betimi i z. Beleri si kryetar bashkie dhe të shprehet në mënyrën më të mirë vullneti i banorëve të Himarës, ashtu siç erdhi përmes zgjedhjeve të saj bashkiake të 14 majit”– përfundon ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis.
Diskutime rreth kësaj post