“Gjinët” “Hysenët” dhe “Tomët” do të mund t’i ndalojë vettingu.
Ishte ky mesazhi qendror i kryeministrit Edi Rama, gjatë fjalës së tij në “Olimpiadën e Aftësive”, panairin dedikuar shkollimit profesional, të hapur në Tiranë. Rama theksoi se qeveria është e vendosur që të zhbllokojë vettingun, duke shtuar besimin se një që e tillë do të ndodhë shumë shpejt.
“Investitorëve të huaj i del përpara një Gjon, një Hysen apo një Tom dhe i thotë ndalo, se jam unë këtu. Pa vettingun dhe pa pastrimin e gjith këtyre gjykatësve dhe prokurorëve… aty ku ka një mollë të kalbur, kalbet e gjithë arka. Dhe për këtë arsye të gjitha janë të lidhura me vettingun. Ne jemi shumë të vendosur që të zhbllokojmë vettingun një orë e më parë dhe vettingu do të zhbllokohet. “-tha Rama.
Rama shtoi se papunësia e të rinjve në vend është kriza më e madhe sistemike e 27 viteve të fundit.
“Kriza më e rëndë ndër gjithë gamën e krizave që ne trashëguam, është kriza e papunësisë rinore dhe adresimi më i rëndësishëm i gjithë spektrit politikave tona të reja është pikërisht adresimi i kësaj krize. Bëhet fjalë për një krizë sistemike, të thelluar në 25 vjet, duke e zhveshur praktikisht Shqipërinë nga aftësia për një gamë të gjerë punësh. Dhe vetëm pak vite më parë, dhoma gjermane e tregtisë, e përshkruante më së miri pasojën më të mirë të kësaj krize. Në një raport ku thuhej, Shqipërisë i mungojnë punëtorë të kualifikuar, në industrinë ushqimore, në ndërtim, në industritë elektromekanike, i mungojnë saldatorë, elektriçistë, minatorë, specialistë ashensorësh, rrobaqepës…
Shqipërisë 3 vite e gjysmë më parë i mungonin punëtorët e kualifikuar në çdo zanat, ama sot Shqipëria ka 8-fish juristë më shumë se Gjermania, dhe nuk mund të themi se ka një sistem gjyqësor të krahasueshëm me Gjermaninë, përkundrazi. 3 vite e gjysmë më parë, pjesa dërrmuese e kompanive thonin se për pozicione të caktuara çonin jashtë vendit punëtorë për kualifikim”, tha Rama.
Rama tregoi rastin e tij “personal” me rrobaqepësit.
“Unë do thoja se vendit tonë i mungojnë edhe rrobaqepës, duke patur edhe problem timin për shkak të përmasave që më janë përcaktuar nga ime më dhe im atë”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post