Më 31 mars 2021, Edi Rama me maskën antikovid ishte në një fasoneri në Shkodër dhe pronari i saj u ankua se nuk ka fuqi punëtore. Rama e garantoi se ligjin për të huajt mund të marrë punëtorë të huaj nga Bangladeshi, Afganistani dhe India.
“Ne kemi kaluar ligjin e ri për të huajt që është shumë i thjeshtë. Nuk ka më fare nga ato procedurat e tmerrshme. 7 ditë është procedura për të marrë punëtorë të huaj. Me këtë pagë që ke ti këtu i ke të sigurt punëtorët e huajt nga Bangladeshi nga Afganistani, nga India. I ke pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme. Sa të fillojnë me mësu shqip, fillo ndërroi se i futet krimbi, jo politika, jo demokracia jo më the të thashë”, tha Rama.
Tre vite më pas, pronari i fasonerisë ndoshta ia “ka futur” vetes pse ka besuar te vizioni zhvillimor i qeverisë së Edi Ramës, sepse vetë ajo tashmë nuk po I pranon punëtorët nga Lindja e largët.
Punonjësit aziatikë janë futur në listën e zezë të Ministrisë së Jashtme, e cila iu refuzon vizat për të qëndruar e për të punuar në Shqipëri.
Edhe pse nuk ka një urdhër të publikuar zyrtarisht, të huajt nga Bangladeshi, Nepali, Sri Lanka apo India nuk janë më të mirëpritur ligjërisht për të punuar në vendin tonë. Precedentët e krijuar nga personat e rekrutuar më herët të cilët e përdornin Shqipërinë si trampolinë për t’u larguar drejt Europës dhe braktisnin befas vendin e punës, jo vetëm që nuk zgjidhën krizën e punësimit këtu për shkak të emigracionit, por ndikuan edhe në komente negative për vendin e shqiponjave duke u bërë faktor pengues për të gjithë këtë etnitet.
Më të dëmtuarit në këto rrethana veç sipërmarrësve shqiptarë që ende vuajnë për punonjës, të djegur janë agjencitë e punësimit, të cilët kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme parash për të huajt nga vendet në zhvillim në lidhje me aplikimin për viza shqiptare. Ankesat drejtuar Drejtorisë së Çështjeve Konsullore pranë Ministrisë së Jashtme janë të shumta, duke kundërshtuar anulimin e vizave për qindra punonjës nga Bangladeshi apo Nepali, por në përgjigjet që kanë marr thuhet se vendimi i anulimit është i pakontestueshëm.
Diskutime rreth kësaj post