Kryeministri Rama ka ftuar publikisht kreun e opozitës, Lulzim Basha të ulen për të dëgjuar propozimet konkrete për situatën e jashtëzakonshme të krijuar pas tërmetit të 26 Nëntorit.
Nëpërmjet një statusi në Twitter, Rama i ka bërë thirrje të gjithë forcave opozitare “të ulemi pa humbur kohë në tryezë për të dëgjuar idetë dhe propozimet e tyre konkrete”
“Në këto rrethana të jashtëzakonshme duhet mbiprodhim energjish pozitive për fatkeqët që kanë humbur gjithçka e mbarë popullin që meriton përkujdesje psikologjike.”, shkruan Rama.
Ai është drejtuar drejtpërdrejtë kreut të opozitës Lulzim Basha duke thënë se e mirëpret vetëpërmbajtjen e tij në fjalor por kjo sipas Ramës nuk mjafton.
“Lulzim Basha është koha e bashkimit konkret sepse vetëpërmbajtja në fjalor, sado e mirëseardhur është krejt e pamjaftueshme! Të ulemi për shqiptarët dhe t’u japim mesazhin e qetësisë, durimit, sigurisë se askush nuk do të jetë vetëm në këtë luftë për mbijetesë. Unë jam gati! Për çdo gjë ka një kohë nën këtë qiell; një kohë me lind e një kohë me vdek; një kohë me i mledh e një kohë me i largu gurët;një kohë me rrëzu e një kohë me ngrit;një kohë me fitu e një kohë me hum;një kohë me u luftu e një kohë me u paqtu. Kjo është koha me u ftillu” shkruan Rama në Twitter.
Ditën e djeshme, u zbardh një urdhër i kreut të opozitës i cili porosiste strukturat e PD që të shmangnin daljet publike dhe mos të bënin përdorim politik të fatkeqësisë. Në shkresë thuhej që njerëzit të ishin të gjithë në terren për të dokumentuar dëmet dhe ti adresonin ato nëpërmjet institucioneve. Vetë Basha propozoi një plan me 5 pika që duhen ndjekur si prioritete për përballimin e gjendjes.
Më parë Rama ripostoi në Twitter mesazhin e Bashës për shqiptarët më 28 Nëntor si dhe shpalli gjendjen e emergjencës në Laç duke e nënvizuar si propozim të opozitës./Opinion
Diskutime rreth kësaj post