Pas largimit të drejtuesve të Hipotekave, kryeministri Rama i ka ftuar edhe drejtorët e spitaleve dhe institucioneve të Shëndetit Publik të dorëhiqen.
Rama tha gjatë takimit me drejtuesit e Shëndetësisë se ky hap do të ndikojë në rritjen e nivelit të menaxhimit. Ai nuk nguroi të thotë se ashtu si godinat edhe drejtorët janë bërë pis.
“Kjo është plagë e trashëguar, por pastërtia është A-ja. Nuk besoj se spitalet para viteve 90-të ishin shëmbëlltyrë e ultrafinancimit, por po të krahasosh nivelin e higjienës pastërtisë dhe nivelit të gatishmërisë nuk jemi 27 vjet para, por 270 vjet pas”,- shtoi ai.
I shoqëruar nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Kryeministri deklaroi se keqmenaxhimi i spitaleve ka ulur figurën e mjekut.
“Largimi i të gjithë drejtuesve aktualë të spitaleve e të institucioneve të shëndetit publik, dhe afirmim i një profili të ri drejtuesi menaxher në shërbimin spitalor përmes konkurseve publike për çdo drejtori spitali dhe institucion të shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë”,- është një nga pikat e propozimeve të Ramës.
Në fjalën e tij Rama i bëri drejtuesit e spitaleve përgjegjës për ambientin jo të pastër dhe kushtet e higjienës në institucionet që drejtojnë deri më sot.
“Spitalet tona pa diskutim janë dëshmi e një trashëgimie të rëndë të shumë viteve rrënim. Sidomos kur flitet për plotëismin me mjekë specialistë në të gjithë vendin. Por nga ana tjetër, personelit tonë mjekësor nuk mund t’i mungojë kurrësesi gadishmëria për t’iu përgjigjur me cilësi pacientit” – tha Rama ndër të tjera.
Statusi i Ramës për takimin e sotëm në ambientet e Kryeministrisë:
Rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor, kalon përmes thellimit me kurajo e vendosmëri të reformës së sistemit të shëndetësisë.
1. Ristrukturim tërësor i organizimit në territor të institucioneve të shëndetit publik
2. Largim i të gjithë drejtuesve aktualë të spitaleve e të institucioneve të shëndetit publik, dhe afirmim i një profili të ri drejtuesi menaxher në shërbimin spitalor përmes konkurseve publike për çdo drejtori spitali dhe institucion të shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë
3. Fuqizim i mbështetjes financiare për specialistët që angazhohen jashtë Tiranës
4. Nisja e procesit për jetësimin e Autonomisë Spitalore
5. Struktura dhe mekanizma të reja shërbimi përmes partneritetit publik – privat
Diskutime rreth kësaj post