Kryeministri, Edi Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë e organizuar, në kuadër të 90-vjetorit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në kryeqytet.
Gjatë fjalës së tij, Rama vuri në dukje se “më vjen mirë që një projekt i nisur me shumë respekt për transformimin e gjimnazit “Qemal Stafa” që në kohën kur unë isha kryetar bashkie, sot është i denjë për të ardhmen e gjimnazit. Po ashtu, jam krenar që falë reformës në arsim, këtë vit nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë nga një tekst i përbashkët duke eleminuar në këtë mënyrë altertekstin. Nxënësit do të marrin bazën e dijes nga vendet e zhvilluara si britania etj.
Rama tha se gjimnazi “Qemal Stafa” është një shembull edhe për projektin “Shkollat si qendër komunitare”.
“Reforma e dijes është një reformë rrënjësore, ndaj edhe reformat tona në arsim kanë gjetur mbështetje dhe padyshim që përfituesit janë nxënësit e të gjitha gjimnazeve të Shqipërisë. Pa dyshim edhe për prindërit që sakrifikojnë çdo gjë për fëmijët e tyre. Jam i bindur që programet e shkollës për projektin “Shkollat si qendër komunitare”, kanë shumë për të dëshmuar, potencialin e madh që ka shkolla si bazë, jo thjesht për të ndërtuar themelet e dijes por edhe për të përgatitur qytetarë të të së nesërmes”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka vlerësuar disa nga figurat e pranishme në aktivitet, prej tyre basketbollisti veteran Agim Fagu, ish-presidenti Alfred Moisiu por edhe Princi Leka.
“U ndjeva shumë i emocionuar kur në hyrje takova një idhull të fëmijërisë sime, Agim Fagun, ish-nxënës i Qemal Stafës, një nga heronjtë e fëmijërisë tonë dhe do ta nxisja drejtoreshën dhe trupën dhe të mos e linte pa shfrytëzuar atë që Agim Fagu mund të japë. Ju mund të mos e dini tamam se për çfarë e kam fjalën, por në atë kohë Agim Fagu na impresionte si Michael Jordan. Ju sot keni edhe një president të Republikës, shumë të respektuar që ka lënë një gjurmë të pashlyeshme, Alfred Moisiu. Ju keni 75 dëshmor të atdheut, mbi 20 mësues të popullit. Keni një princ që nuk ka studiuar këtu. Gjyshi i tij ka pasur probleme të mëdha me Qemal Stafën por ai ka ardhur ta nderojë”, tha kryeministri.
Diskutime rreth kësaj post