Gazetarja Sonila Meço përmes një shkrimi të publikuar në rrjete sociale kritikon qeverinë për mosmarrjen në kohë të masave për përballimin e situatave emergjente si pasojë edhe e motit të keq.
Ja postimi i plotë i Sonila Meços:
Pas hallit…
Ata që po vuajnë pasojat e përmbytjeve janë të parët në prioritetet e çdo reagimi, nga kushdo e kudo.
Por ju kujtoj një vit më parë, po të doni pesë e dhjetë, kur përsërisnim: përballimi i situatës një herë, mandej do reflektojmë e do nxjerrim përgjegjësi. Tani ca njerëz duhet t’i qëndrojnë kësaj ideje, këmbë pas këmbe shënjestrimit të përgjegjësive se mund të bëhen të dyja, edhe dhënia e ndihmës edhe këmbëngulja për të mos shmangur asnjë sekondë vëmendjen nga kush dështoi me pasojë shkatërrimin e pronës e jetës së njerëzve (edhe kur janë vetë këta të fundit).
Një masë të marrë nga vjet të paktën, një korrigjim gabimesh në projektim, një manual këshillash të publikuar, një kontrroll në terren me hyrjen e stinës së reshjeve, informacione të detajuara, orientim, ndëshkim të banorëve që nuk kanë respektuar rregullat në ndërtim, ndërtuesve e drejtuesve lokalë/qendrorë që kanë toleruar nga paaftësia a korrupsioni. Nuk ka shans të kërkosh sot veç përballimin e emergjencës, kur kishe 364 ditë për t’i dalë përpara.
Ne jemi të politizuar gjer në qelizë, por kjo histori nuk ka lidhje me politikën, por me politikat që kanë nevojë për strategji, specialistë, fonde. Ku është strategjia? Sa janë dëgjuar me kohë specialistët? Kur e kush i mblodhi? Po fonde? Ku kanë shkuar?
Sa për solidaritetin, mos ua qani hallin shqiptarëve, janë të përsosur pasi halli ka ndodhur. Kanë dështuar ata shqiptarë që duhej ta parandalonin a te vepronin në kohë për të minimizuar dëmet.
Aty vëmendja, se do ikin ditët e vendin e shiut e zë dëbora, të dëborës kanabisi, të kanabisit shiu sërish…dhe kur të shiheni do jeni thinjur e vrarë nga koha, marazi e durimi.
Diskutime rreth kësaj post