Duam të vërtetën sa më parë. Kështu e ka nisur postimin e tij në Facebook kryeministri Edi Rama teksa ka komentuar shkurt zbardhjen e përgjimeve të Moisi Habilajt.
Në një status pak minuta para konferencës për shtyp të ish-Ministrit Saimir Tahiri, Rama shkruan se gjithcka e dalë nga përgjimi është e neveritshme dhe shokuese.
“Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe e njoh si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet” – shkruan ndër të tjera Edi Rama.
Statusi i plotë:
DUAM TË VËRTETËN! SA MË PARË!
Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve!
Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet.
Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.
Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam – Me shtet, punë, mirëqenie.
Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!
Diskutime rreth kësaj post