Nga Andi Bushati
Edi Rama është shfaqur i qetë dhe i sigurtë në ekranin e tij të preferuar, TV Klan, për të folur edhe njëherë për koalicionin e zgjedhjeve të ardhshme me LSI-në. Në pamje të parë gjuha e tij qe tejet korrekte. Ai pohoi se socialistët e duan vazhdimin e koalicionit me LSI- në dhe se kjo gjë do të fillojë të diskutohet pas rizgjedhjes së Metës në krye të partisë që ka themeluar vetë.
Por, ndryshe nga përshtypja sipërfaqësore, po t’i dëgjoje me kujdes fjalët (shiko poshtë rubrikën Lajme Lapsi.al) nuk ishte e vështirë të qëmtoje dy elementë.
Së pari notat e ironisë. Kryeministri e la të hapur edhe një rimartesë të re të LSI-së me PD-në dhe këtë nuk e kumtoi, as si një dramë, as më me tonet patetike të viteve më parë, kur këto pirueta i quante si “tradhëti mijra zemrash të majta”.
Elementi i dytë që binte në sy, ishte vetësiguria. Në intervistën e vet, toni, qetësia, mimika dhe yshtja për të bërë humor, sikur kërkonin të thonin të gjitha bashkë: “kot më pyesni, Ilir Meta nuk ka ku shkon”.
Në fakt një gjë është e qartë, që pas miratimit të reformës në drejtësi këtë verë, raportet mes Metës dhe Ramës kanë ndryshuar ndjeshëm në favor të të dytit. Po të mbetemi tek krahasimi i elementëve gjuhësorë, kryeministri nuk e përdor më as togfjalëshin “dy bashkëdrejtuesit e koalicionit” as atë “dy partitë udhëheqëse të aleancës”.
Që prej kësaj vere, kur me mënyrat e tij ai arriti në kulisa të bëjë një shumicë prej 71 deputetësh, kur më pas, me zgjedhjet në Dibër, provoi se mund të prodhonte anembanë Shqipërisë çamë, çekë apo çifutë, shefi i Rilindjes ndihet më i sigurtë.
Kjo siguri ka buruar edhe nga fakti se LSI-ja, me përjashtim të ndonjë batute të Luan Ramës apo Ylli Manjanit, i ka votuar me bisht në shalë të gjitha mëkatet e Rilindjes. Ajo nuk është bërë pengesë, as për koncesionet dhe tenderat, as për shefat e policisë që marrin 30% e hashashit, as për lejet e ndërtimeve dhe ligjet antipopullore që i ka kaluar me lehtësinë më të madhe.
Kjo siguri buron edhe nga fakti se që pas kësaj vere, Edi Rama po e trajton LSI-në dhe Metën, njësoj si Berisha, pra si një aleat që thjesht do të vjelë hisen e tij të pushtetit dhe jo si një partner që mund të bëhet bllokadë kundër abuzimeve me të.
Me taktikën që ka zgjedhur, Rama nuk e ka më realisht problem LSI-në. Ai e di që nga bashkëqeverisja me të, Ilir Meta ka dalë po aq i njollosur në sytë e publikut.
Ndërsa nga ana tjetër ai e ka kuptuar, zgjedhjet në Dibër i’a konfirmuan, se votën klienteliste mund ta mbledhë me çfarëdo aleati tjetër, të korracuar me paratë e hashashit dhe kriminelët që rekruton përditë pushteti.
Prandaj, ai pothuajse nuk ka më nevojë për Metën. Ashtu sikuse tregoi edhe intervista e kësaj të diele, edhe nëse do të ulet të negocjojë , ai do të tentojë ta bëjë nga pozitat e padronit me vasalin.
Ai i ka përcaktuar tashmë rregullat e lojës dhe konturet e terrenit ku do të luhet.
Në këtë prizëm, topi ka mbetur në fushën e Metës.
Ai është vënë edhe njëherë përballë dilemës: ose do të pranojë rolin e çirakut që e ka refuzuar me përbuzje për një çerekshekulli militimi brenda së majtës, ose nga ana tjetër do të zgjedhë të ngrejë krye.
Por edhe nëse zgjedh versionin e dytë, Ilir Meta e di se kjo përplasje nuk mund të bëhet më duke kërkuar të peshkojë votën klienteliste. Tashmë Rama ia ka dëshmuar se ai i ka nën kontroll edhe partitë e vogla edhe të fortët që do të mësyjë në këtë betejë.
Prandaj kreut të LSI-së, i mbetet vetëm një rrugë. Në këto muaj qeverisje, më shumë sesa të angazhohet për punësimin e militantëve, për benefitet e financuesve të partisë, për kalkulimet e vogla brenda shumicës, ai duhet të preokupohet të ndërmarrë veprime që shkojnë në interes të opinionit publik.
Vetëm duke marrë flamurin e një kundërpushteti brenda mazhorancës, që i bëhet digë delirit, roje makutërisë dhe postbllok arrogancës të shefit që qeveris, Meta mund të shpikë një fabul të re për zgjedhjet e ardhshme.
Opreacioni i tij i vetëm, misioni i tij i pamundur, është fitimi me çdo mjet i simpatisëstë publikut.
Dhe këto ditë Ilir Meta e ka një shans. Pa manovra hisyhedhëse dhe pa makiazhe që zbukurojnë krimin qeveritar si deri më tani, ai e ka në dorë t’i thotë jo ligjit për importin e plehrave.
T’i thotë jo, si një akt politik që nuk e përligj mashtrimin si metodë qeverisjeje.
T’i thotë jo edhe si një shenjë besimi për të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi.
Vetëm duke mbajtur qëndrime të tilla, për ligjin e importit të plehrave, apo për të singjashëm me të, Ilir Meta mund të krijojë një fabul të re. Vetëm kështu ai mund të rikrijojë besimim, tashmë të fashitur se ai mund të bëjë edhe barrierën e abuzimit me pushtetin, pa qenë gjithmonë bishtnim i arrogancës së tij.
Pa dyshim, që një rol i tillë i Metës mund të duket utopik dhe i pabesueshm për shumëkënd, por në rendin aktual të gjërave, kjo është ndoshta rruga e vetme, që ose të dalë me kokën lart nga koalicioni me Ramën ose të qëndrojë aty, i padetyruar për t’i mbajtur shpatullat pas muri. (Lapsi.al)
Diskutime rreth kësaj post