Në cilësinë ministres dhe drejtueses politike të Gjirokastrës, Mirela Kumbaro ka bërë një zotim në rrjetet sociale, teksa ka reaguar për herë të parë pak ditë pasi pasoi në këtë detyrë Bledi Çuçin. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Kumbaro shprehet se këto detyra janë pjesë e jetës së saj aktive dhe besimit për ta bërë Shqipërinë më të mirë nga sa është sot. Rama e riktheu Kumbaron në qeveri, në mandatin e tij të tretë, duke i dhënë drejtimin e dikasterit të Turizmit dhe Mjedisit.
“Kjo javë që po mbyllet shënoi një fillim të ri për përgjegjësi të reja Është koha të them se detyrat në qeverisje, angazhimi si deputete në Qarkun e Gjirokastrës, janë tashmë pjesë e jetës time aktive. Janë pjesë e jetës time sepse janë pjesë e besimit tim për ta bërë Shqipërinë më të mirë nga ç’është sot.
Këtë besim ma edukuan gratë dhe burrat e Qarkut të Gjirokastrës, duke bashkëjetuar çdo javë, çdo muaj e çdo vit nga 2017 e deri sot, me vështirësitë dhe gëzimet e njerëzve të tokës, të punës, të dijes, të sofrës dhe të bujarisë në Gjirokastër e Libohovë, në Tepelenë, Përmet e Këlcyrë, nga Dropulli në Memaliaj.
Andaj detyrën që Partia Socialiste, më caktoi si drejtuese politike e këtij Qarku e marr si më të madhin nderim, por edhe si një përgjegjësi serioze, sepse u detyrohem shumë banorëve të të 7 bashkive të Qarkut.
Por e marr edhe si sfidë e mbarësi. Pasi Bledi Çuçi e kreu këtë detyrë aq bukur politikisht dhe aq njerëzisht të ndërtuar mirë, duke vendosur një standard qytetarie të frymës së ekipit, të punës në grup me njerëzit dhe me strukturat, kujtdo pas tij i mbetet një sfidë e madhe për ta arritur. Kjo sfidë sot është e imja”, shkruan Kumbaro.
Diskutime rreth kësaj post