Parmbrëmë, në studion e Sokol Ballës, pasi Ilir Meta tha ato që tha në konferencën e tij për shtypin, ne komentatorët u vumë të bënim leximin e asaj që ai vetë e lexoi. S’ke ç’i bën, na duhet këto kohë t’iu lexojmë edhe atë që ata lexojnë.
Janë bërë mjeshtra për të folur pa fund e për të mos thënë asgjë, apo me fjalë të tjera, për të thënë çdo gjë, me përjashtim të asaj që pritet (duhet) të thonë. Në programin Top Story, ca nën drogën e lajmit që nxori Erion Veliaj, sipas të cilit PS-ja e LSI-ja e kishin kopsitur marrëveshjen edhe për një mandat të dytë, ca nga një wishful thinking, unë i bëra një lexim optimist fjalës së Metës.
Dhe leximi ishte ky: “Meta me një qeveri besimi ka parasysh jo një qeveri teknike; përkundrazi, ka parasysh që kjo mazhorancë t’u hapë rrugë të gjitha pretendimeve të arsyeshme që PD-ja e opozita do të paraqesin në funksion të barazisë së garës elektorale”. Mirëpo, orët që kanë rrjedhur prej atij momenti më kanë bërë të besoj se ai lexim ishte i pasaktë. Sinjalet e djeshme, reagimet e PS-së, heshtja ulëritëse e LSI-së, entuziazmi që ka shpërthyer mes njerëzve të PD-së, por edhe koha më e madhe në dispozicion për të lexuar këto rebuse më kanë bërë të mendoj se LSI-ja është absolutisht në mbështetje të kërkesave të çadrës. Madje, personalisht, në këto rrethana, kam filluar të mendoj se çadra është ngritur me ok-in e Metës.
Dhe në këtë pikë, po i lë mënjanë spekulimet. Po supozoj pra se shqetësimi për zgjedhjet është gjenuin. Dhe në fakt, ai shqetësim nuk është pa gjë. Mjaft të mendosh – sa për të përmendur një gjë – që policia e republikës është e mbushur me tepelenas, ashtu si për vite me radhë ka qenë e mbushur me tropojanë.
Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz që dyshojnë se policia e tepelenasve do të përdoret për funksione elektorale. Në të vërtetë, edhe policia e tropojanëve nuk u përdor për qëllime të tilla. Keqpërdorimi i policisë në zgjedhje mund të quhet një problem i arkivuar tanimë.
Por puna është se janë dukuri të tilla, që kur bëhen shumë e kur bëhen bashkë, krijojnë një klimë mosbesimi te qeveria, tek administrata e tek institucionet. Kështu, problemi im me PD-në nuk është që kjo parti po trembet kot prej manipulimit të zgjedhjeve. Jo, arsye për t’u trembur ka. Por problemi im me këtë parti është tjetër: kjo opozitë në këto rrethana duhet të bëjë atë që kanë bërë opozitat e mëparshme, d.m.th. të kërkojë gjithçka që ajo e sheh të arsyeshme në funksion të një gare elektorale të barabartë, por nuk mund të kërkojë rënien e një qeverie. Kërkesa për rënien e një qeverie legjitime nuk hyn në tagrin e kësaj opozite, në fakt të asnjë opozite në botë. E prandaj, kjo qeveri jo vetëm ka të drejtën kushtetuese të qëndrojë atje ku është, por e ka edhe për detyrë (kushtetuese gjithashtu) të qëndrojë. Të kuptohemi, për sa kohë që do ketë një shumicë në parlament që do ta mbështesë.
Dhe në këtë mes ka një rol për të luajtur Ilir Meta. Por jo roli që ka luajtur deri më tani. Ai nuk duhet të mjaftohet me frazat se “zgjedhjet pa opozitën as që duhen menduar”, por duhet të na thotë qartë se cila është receta e tij për të bërë zgjedhje me opozitën. Duhet të na e thotë qartë se çfarë mendon ai vetë mbi shqetësimet e opozitës, a janë këto edhe shqetësime të tijat, a është edhe ai që nuk ka besim te qeveria Rama për sa iu takon zgjedhjeve. Nëse edhe ai mendon se qeveria “Rama” është e prirur dhe e përgatitur për të manipuluar zgjedhjet, zgjidhja nuk është që vendet e LSI-së në kabinetin qeveritar t’ia lëshojë PD-së!!!
Zgjidhja është tjetër. Ai duhet të dalë me një paketë propozimesh që synojnë minimizimin e rolit elektoral të qeverisë. Këtë paketë propozimesh mund ta hartojë edhe në bashkëpunim me opozitën. Por duhet vepruar shpejt, pasi nuk ka kohë. Nuk duhet të ketë asnjë kompleks ta bëjë këtë bashkëpunim me opozitën. Në fund të fundit, është duke kërkuar kushte për një garë të barabartë, dhe ky është pretendimi më i pafajshëm në demokraci. Një qeveri duhet të ketë sa më pak punë me zgjedhjet. Do ishte mirë që qeveria të kishte lidhje me zgjedhjet po aq sa ka lidhje edhe shitësi i bulmetit në lagjen time. Kjo gjë i duhet kërkuar qeverisë. Madje, nuk kuptohet pse nuk i është kërkuar e pse është lënë që kjo betejë të zhvillohet in extremis, duke bërë edhe që qindra-mijëra shqiptarë të dyshojnë se, në këtë histori, vetëm te zgjedhjet nuk e kanë hallin.
Nëse Ilir Metës kjo i duket një zgjidhje shumë e butë, atëherë duhet të bëjë tjetrën që është më e fortë, e që të gjithë, lsi-stë, pd-istë, ps-istë, janë duke e pritur me gëzim: Duhet të shpallë fundin e koalicionit PS-LSI. Ky koalicion nuk ka më asnjë arsye të qëndrojë më këmbë. Ka njerëz që janë me idenë se ky koalicion as që duhej krijuar, por unë mendoj se për një gjë ia ka vlejtur: në saje të këtij koalicioni është bërë e mundur të shporret njëherë e mirë nga zyrat e shtetit Sali Berisha, s’ka gjë se, sa të ketë shpirt, atë do ta kemi nëpër këmbë, qoftë edhe në trajtën e zombie-zuar të vetën, që është Basha.
E tok me këtë shpallje, Meta duhet të synojë rrëzimin e kësaj qeverie. Për këtë, ai duhet të largohet nga mazhoranca, e krahas kësaj të punojë në parlament për identifikimin e votave të tjera anti-Rama. Blushi u tregua i gatshëm menjëherë që t’i bashkojë votat me LSI-në. Ndoshta mund të ketë edhe vota të tjera. Dhe kjo do ishte mënyra e vetme, me të cilën mund të rrëzohet një qeveri mes dy zgjedhjesh. Nëse edhe në këtë mënyrë nuk rrëzohet, atëherë ta gëzojmë të gjithë këtë qeveri, e të bëhemi gati për zgjedhjet e datës 18 qershor.
Diskutime rreth kësaj post