Kryeministri Edi Rama ka përsëritur në një konferencë të posaçme për shtyp thirrjen për dialog ndaj kundërshtarit të tij politik Lulzim Basha. Duke e quajtur një situatë sureale të krijuar nga PD, Rama tha se kurrë nuk ka pasur një krizë të tillë ku opozita refuzon dialogun.
“Megjithatë sot jam këtu për dialogun, dhe nevojën që të ulemi në tryezë pa kushte dhe pse kërkesa e opozitës, reforma e zgjedhur prej saj për të imponuar ato kërkesa janë të padëgjuara në 27 vjet pluralizëm dhe të panjohura në historinë moderne të demokracisë evropiane, prapë së prapë e kam pranuar diskutimin e atyre kërkesave në tryezë, pa vënë asnjë kusht për kohën, vendin, formatin dhe i gatshëm që ta pranojë zhvillimin e dialogut me media apo pa media, sipas dëshirës së Lulzim Bashës, PD dhe të atyre që janë rreth saj të ngujuar në çadër. Kam mobilizuar zyrën time për të komunukuar me zyrën e kryetarit të PD duke kontaktuar pa pushim për ditë të tëra, pa sukses. Kam treguar gatishmërinë për të mbështetur një nismë të presidentit për dialog, pavarësisht rezervave të mëdha që kam për pozicionimet e anshme të presidentit, në momente kyçe kur ku vend kishte nevojë për paanshmërinë e tij. Dhe pse i është lënë Lulzimit dorë e lirë të vendosë se çfarë të diskutojë në tryezë. Jo vetëm se kjo nismë artificiale po bllokon zbatimin e Vettingut dhe për pasojë po rrezikon hapjen e negociatave”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se çdo ndihmë e ndërkombëtarëve për të ulur palët në tryezë është e mirëpritur, por ata janë penguar për këtë gjë.
“Besoj se mund t’i zgjidhim vetë gjërat, po sigurisht që ndihma e tyre është gjithmonë e mirëseardhur dhe mund tju them me sinqeritetin më të madh që ata janë sot në pozitë të vështirë sepse po ndalohen për të dhënë ndihmën e tyre, po pengohen për të dhënë ndihmën e tyre dhe kjo e vendos PD-në në një dritë shumë jopozitive, në sytë e miqve dhe partnerëve dhe padyshim dhe në radhë të parë në sytë e familjes së PPE ku PD është pjesë, po sigurisht nuk e vendos Shqipërinë në një dritë fort të shkëlqyeshme”, tha më tej Rama.
I pyetur nga gazetarët lidhur me informacionin për atentat ndaj kreut të PD-së, Rama tha se pavarësisht se nuk ka diçka reale, siguria e tij është prioritet numër 1 nëse kërcënohet.
“Nuk ka skenar, ka pasur informacion që është trjatuar me seriozitetin më të madh, dhe pavarësisht se gjithë ekspertiza tregon se informacioni nuk është mjaftueshmërisht i besueshëm dhe burimi është kontraditor, janë marrë të gjitha masat njësoj si të ishte diçka realisht e vërtetë, sepse patjetër që siguria e të gjithë njerëzve dhe pa diskutim dhe kryetarit të PD është prioritet nr 1 nëse kërcënohet”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post