Nga Nikoll Lesi
Eshtë thënë nga Edi Rama se dita e hënë, datë 8 maj, do jetë dita e fundit e shpresës për marrëveshje, në pamundësi për më tej sepse nuk pret KQZ për fletët e votimit të cilat do shtypen në Greqi për datën 18 qershor.
Lulzim Basha i ka kthyer përgjigje takimit të pritshëm, por jo të ndodhshëm, se ” duam qeveri teknike”.
Edi Rama deklaron se as që flitet për qeveri teknike, por hajdeni e merreni zëvëndësin tim dhe nja tre zv/ministra, të cilët nuk kanë as vulë e as nishan.
Basha prapë reagon se “takohemi ditën e shtunë me mbi 200 mijë demonstrues para zyrave tuaja”. Pra “bashkëbisedim” me turma dhe jo në tryezë dialogu.
Asnjë shpresë për takim, natyrisht për zgjidhje, edhe sot. Mazhoranca po shkon për herë të parë në këto 27 vite pluralizëm pa opozitën në zgjedhje.
Opozita bërtet dhe shtrëngon dhëmbët duke thënë se zgjedhje pa opozitën nuk ka, bile as votime nuk do lejohen me 18 qershor. Siç ndodhi në Kavajë.
Me një pasion çmendurie dhe dëshire aventureske, por të paprovuar të ndonjëherë, ata të dy, Edi Rama dhe Lulzim Basha, po shkojnë drejt një ndeshje finale.
Jo me zgjedhje, jo me vota, por me provë muskujsh.
Dhe do ta bëjnë këtë duel fizik turmash, natyrisht me kokat e njerëzve. Jo me të tyret!
Ndalini këta të dy, të cilët po shkojnë me turravrap drejt përplasjes!
Do jetë tepër vonë kur zgjidhja e cila do vijë, gjithsesi, pas tymit dhe shkatërrimit!
Diskutime rreth kësaj post