Kryeministri Edi Rama në një intervistë për mediat greke ka folur sërish për çështjen e detit. Për televizionin MEGA, Rama është shprehur se mes Greqisë dhe Shqipërisë duhet një marrëveshje dhe shton se është i bindur se mund të arrihet një gjë e tillë. Kreu i qeverisë kujton dhe marrëveshjen e vitit 2009, duke thënë se në atë kohë pati shumë pakënaqësi dhe Gjykata Kushtetuese e rrëzoi paktin mes dy vendeve.
“Pas marrëveshjes, kishte disa grupe që shprehën shqetësimin e tyre të fortë, duke argumentuar se marrëveshja nuk ishte e drejtë. Në atë kohë unë isha udhëheqësi i opozitës dhe vendosëm ta dërgonim çështjen në gjykatën kushtetuese, në vend që ajo të bëhej çështje e polemikave politike, siç është zakon në Ballkan, kur të krijohet mundësia të sillemi si “patriot”. Gjykata vendosi që marrëveshja ishte e pasaktë”, shprehet kryeministri.
Më tej ai shton se Kushtetuesja ka thënë që marrëveshja dëmtonte interesat kombëtare dhe që atëhërë Shqipëria dhe Greqia kanë hyrë në fazën e mosmarrëveshjeve dhe më pas janë ulur në dialog. Rama ka komentuar dhe deklaratën e homologut të tij Kiriakos Mitsotakis, i cili ka thënë se Greqia do zgjerohet me 12 milje në Jon.
“Kishte një diskutim në lidhje me të drejtën e vendit për të zgjeruar ujërat territoriale në 12 milje, e cila bazohet në traktatin ndërkombëtar të Gjirit të Montego. Çdo vend që ka dalje në det ka të drejtën dhe nuk është diçka për të cilën negocioni ose kërkoni nga të tjerët të zgjerojnë ujërat tuaja atje ku është e mundur. Kur kjo nuk është e mundur, vendet duhet arrijne një marrëveshje, ndërsa çështja midis Greqisë dhe Shqipërisë është e veçantë, sepse të dy vendet nuk mund të vazhdojnë me zgjerimin e tyre në mënyrë të njëanshme, pa marrëveshjen ndërmjet tyre, sepse natyrisht një gjë e tillë nuk është e mundur. Ne jemi pranë njëri-tjetrit, nuk mund të bëjmë gjëra vetëm ose nuk mund të jetojmë pa e kuptuar dhe pa respektuar faktin që tjetri është pranë nesh. Ne duhet të arrijmë një marrëveshje dhe jam i bindur se do të gjejmë një zgjidhje”, shton ai.
Rama thotë se “ne mund të arrijmë një marrëveshje të mirëbesimit duke ngritur çështjen në një gjykatë ndërkombëtare me një rezultat objektiv dhe të jetojmë drejt të gjithë paqësisht nga tani e tutje”.
Diskutime rreth kësaj post