Kryeministri Edi Rama akuzoi qeverinë e mëparshme se ka keqpërdorur ndihmën shtetërore në kundërshtim me ligjet e Bashkimit Europian.
“Vlera e ndihmës shtetërore në Shqipëri gjatë viteve 2007-2012 ka qënë pothuajse sa fatura që qeveria e kaluar la si borxhe të papaguara për investime apo shërbime të mara nga të tretët. Në këtë rast 631 milion euro. Ajo që ka qënë një problem serioz në këndvështrimin tonë është se shteti shqiptar e përdorte ndihmën në kundërshtim të hapur me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe si favorizim shpesh herë për konkurrencën e padrejtë”, tha Rama.
Kryeministri tha se në tre vitet e fundit politikat e ndihmes që shteti jep për ndërmarrjet private kanë ndryshuar rrënjësisht .
“Për herë të parë ne kemi krijuar një mekanizëm që lidh ngushtë ndihmën shtetërore me punësimin, duke ndihmuar ata sektorë që garantojnë më shumë punësim për shqiptarët. Në vitin 2015 sektorët që përfituan më shumë nga ndihma shtetërore ishin bujqësia me 25 % të totalit, ujësjellës-kanalizime me 7%, transporti me 7% dhe pastaj nxitja e punësimit me 4.6%”, tha ai.
Sipas tij, tashmë skema se si përfitohet kjo ndihmë është jo vetëm në përputhje me ligjet e Bashkimit Europian, por edhe më transparente.
“Faktikisht me ndryshimet ligjore që kemi bërë këtë vit në ligjin e ndihmës shtetërore autoriteti i konkurrencës duhet shqyrtoje rast pas rasti të gjithë aplikimet. Autoriteti ka tashmë mundësinë që të parandalojë rastet kur skema të mëdha të ndihmës mund të sjellin pasoja negative si prishje rregullash të konkurrencës apo kur mund të gjykohet se biznesi merr përmes ndihmës më shumë se sa i takon për atë që sjell si impakt”, tha Rama.
Sipas kryeministrit politikat e reja të ndihmës shtetërore mundësojnë mbështetjen e sektorëve më produktiv të ekonomisë, të cilët krijojnë edhe më shumë punësim./TCH/
Diskutime rreth kësaj post