Nga Andi Bushati
Beteja për të përdorur faktorët ndërkombëtarë në luftën e brendshme politike, është futur në një fazë skizofrenike. Gjatë një interviste për një nga mediat më influente në administratën e re të Trump, Breitbart.com, kreu i opozitës e kaloi ylberin.
Duke folur për këtë tribunë të ultrakonservatorëve në SHBA, e cila është drejtuar për vite me radhë nga këshilltari strategjik i presidentit amerikan, Stephen Bannon, Lulzim Basha u detyrua të përqafojë teoritë konspirative që i ka refuzuar deri më tani.
Pavarësisht se ia mbërriti të gjejë një platformë me tepër ndikim për të propoganduar qëndrimet e veta politike, ai cedoi duke rënë në klishetë e paranojave antisorosiane. Një nga argumentat e kryesorë të ligjërimit të Bashës për portalin me mbi 35 milionë ndjekës unikë në muaj, ishte se ai po penalizohej në vendin e tij dhe në mediat ndërkombëtare pasi ishte një mbështetës i pakompromis i presidentit Trump (lexo shkrimin poshtë/ Lapsi.al). Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ai ankohej për lidhjet e kundërshtarit të tij direkt Edi Rama, me multimiliardein spekullant George Soros, të cilin Breitbart e konsideron prej kohësh si një diall.
Pra, po të lexoje citimet e Lulzim Bashës në këtë media të etiketuar shpesh si ksenofobe, misogjine dhe antimyslimane mund të nxirrje dy konkluzione.
Së pari, se edhe lideri ri i PD nuk i shpëtoi dot ligjërimit paranoiak të Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Së dyti, se edhe ai ra në klishenë aq sa sipërfaqësore, po aq dhe konspirative, të një oktapodi sorosian që luan fijet e pushtetit në Shqipëri.
Për fat të keq, këto teori komploti, që po gëlojnë së fundi edhe në anët tona, nuk kanë vetëm etiketë “Made in Albania”.
Ato lëvrijnë tek të gjithë modelet putiniane të politikës, që nga presidenti rus e deri tek karikatura të tij si kryeministri hungarez Viktor Orban apo ish- homologu i tij maqedonas Gruevski.
Të gjithë këta janë bashkuar nga një fill i përbashkët: justifikimi i autoritarizmit, nacionalizmit dhe kundërshtimi i politikave anti libelare përmes goditjes se hebreut miliarder nga Hungaria.
Edhe “Zëri i Amerikës”, në një koment të pak ditëve më parë, e vinte re këtë gjallërim të lëvizjeve anti Soros në vendet e kontrolluara më parë nga Moska. Komenti theksonte gjithashtu (lexo poshtë Lajme lapsi.al) se ato janë nxitur edhe më shumë me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Pra, pikërisht këtë konjukturë ndërkombëtare po shfrytëzon edhe Lulzim Basha për të treguar me fjalë të thjeshta se deri më tani Rama është mbrojtur në mbulimin e krimeve të veta nga oktapodi sorosian, por këtej e tutje, pas largimit të demokratëve nga pushteti në SHBA, punët kanë ndryshuar.
Nga ana tjetër, Edi Rama, fillimisht e mori me të qeshur propagandën antisorosiane. Por këmbëngulja e kundërshtarëve të tij, dhe sidomos fakti se gjatë fushatës presidenciale ai ishte treguar sa mendjelehtë aq edhe sipërfaqësor me deklaratat anti Trump, dalëngadalë e futën në panik.
Shqetësimit se mos teoritë konspirative me Soros fillonin e zinin vend, kryeministri vendosi t’i përgjigjej me të njëjtën monedhë.
Kështu, pak nga pak, filluan të propagandohen në tregun mediatiko- politik skenaret me rrezikun që vinte nga Moska. Vetë Rama vazhdoi më pas të fliste në mënyrë të përçartë për lidhje të opozitës, që protestonte, me qarqe të huaja që nuk i donin të mirën Shqipërisë, për intersa të çadrës që ndërthureshin me ato të të huajve që punonin kundër vendit.
Pra shkurt, në panik dhe me reagim të atypëratyshëm, kryeministri vendosi t’i kundërvërë fabulës së fryrë me Soros të kundërshtarëve të vet, antifabulën e atyre që bashkëpunojnë me “armikun e jashtëm”.
Dhe sot kemi arritur në këtë pikë.
Tek një qeveri që nuk beson më tek propaganda e saj, prandaj shpik një teori konspirative për t’u mbajtur në këmbë dhe tek një opozitë e cila dyshon se tezat e saj mund të zënë vend, prandaj tregon përrallën e përmbysjes që do të vijë nga Uashingtoni.
Janë pikërisht këto ligjërime që e kanë futur debatin politik në një atmosferë skizofrenike. Secila palë u tregon mbështetësve të vet se armiku është diku jashtë, qoftë në stepat e Siberisë, qoftë në “shoqërinë e hapur” të Sorosit, duke e shmangur vëmendjen nga problemet reale.
Por, fatkeqësisht për to, të dy fabulat provojnë një të vërtetë të madhe: se dy partitë tona kanë mbërritur deri në atë pikë, sa nuk mund të ekzistojnë përveçse përmes mashtrimit. (Lapsi.al)
Diskutime rreth kësaj post