Burime nga selia e Kryeministrisë tregojnë për Top Channel se është përfunduar struktura e qeverisë së re, e cila mesa duket do të ketë disa bashkime të ministrive aktuale.
Kështu, thuhet se do të bashkohet Bujqësia me Mjedisin, Turizmi me Kulturën dhe Sportin, Ekonomia me Energjinë dhe Zhvillimi Urban me Pushtetin Vendor. Po ashtu diskutohet për një ministri të re të Thesarit, si dhe një tjetër të Gruas dhe Rinisë.
Për sa u takon emrave, flitet për një valë ndryshimesh të qeverisë së para marrëveshjes së 17 majit, ku një pjesë e figurave politike me eksperiencë do të kalojnë në drejtimin e grupit dhe komisioneve parlamentare.
Ende nuk dihet nëse qeveria e re do të ketë një përqindje të lartë grash, por mbase kjo është gjëja më e lehtë të parashikohet, po të kihet parasysh Rama si flamurtar i barazisë gjinore. Ashtu sikundër nuk është e vështirë të parashikohet rikthimi i Fatmir Xhafajt në Punët e Brendshme, si dhe konfirmimi i Damian Gjiknurit. I pari krijoi në pak kohë një profil të pakontestueshëm, ndërsa i dyti, përveçse vlerësohet si një ndër më të suksesshmit e mandatit të parë dhe më të besuarit e kryeministrit, i dha Ramës dy fitore spektakolare: Dibrën dhe Vlorën, shkruan TCH.
Nëse rezultati në zgjedhje do të jetë një kriter, disa prej ministrave udhëheqës të qarqeve mund të mos konfirmohen. Ndërkohë, më e pakta që mund të parashikohet është rikthimi i Lindita Nikollës, që e nxori Partinë Socialiste bindshëm fituese në Qarkun e Lezhës, për herë të parë pas 10 vitesh të dominuara nga Partia Demokratike.
Sidoqoftë, Edi Rama nuk ia ka përtuar surprizave, edhe kur pushteti i tij në parti dhe mbështetja në popull kanë qenë shumë më të diskutueshme sesa sot.
Sot ai vjen nga një triumf i paparashikuar, mbi shumë armiq njëherësh, në një lojë shahu, ku ai e provoi veten si i vetmi shahist në lojë. Nëse qeveria e re do të jetë një lëvizje e radhës në skakierë, atëherë çdo parashikim mund të rezultojë nul, në momentin kur shefi i vjetër dhe i ri i qeverisë do të shpallë ekipin e tij të radhës për ekzekutivin shqiptar.
Por mes këtyre informacioneve dhe supozimeve, një vendim i Ramës duket se është i pandryshueshëm. Gramoz Ruçi do të jetë në krye të Kuvendit të Shqipërisë për 4 vitet e ardhshme!
Tani për tani nuk dihet ende çfarë do të bëjë Rama me ndarjen e mandatit të deputetit nga posti i ministrit, pasi përvoja e 4 viteve të para nuk dha ndonjë rezultat politik lidhur me këtë çështje. Burime qeveritare thanë për Top Channel se, Rama nuk ka vendosur gjithashtu as kur do ta shpallë qeverinë e tij të re. Opsionet janë dy, që ta shpallë të dielën në mbledhjen e Asamblesë socialiste, ose një ditë më pas. Por, kurdo që ta bëjë, është e sigurtë se fillimi i javës tjetër e gjen vendin me qeverinë e re socialiste “Rama 2”.
Diskutime rreth kësaj post