Kryeministri Edi Rama deklaroi se data e zgjedhjeve nuk ndryshon dhe se sipas tij 18 qershori ndan rrugët, ose me Europën, ose vendi kthehet në batak. Ai tha se askujt të mos i shkojë mendja që të mos i lejojë shqiptarët që të votojnë. Lulzim Basha reagoi dhe tha se patriotike dhe europiane është që të luftosh për zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa më herët pohoi se opozita nuk regjistrohet në KQZ, ndërsa të hënën skadon afati për partitë
Kryeministri Edi Rama përjashtoi çdo mundësi që mund të çojë në shtyrjen e zgjedhjeve të 18 qershorit, ditë kur sipas tij, shqiptarëve do tu duhet të vendosin mes vlerave europiane dhe Shqipërisë së të shkuarës.
“18 qershori duhet të sjellë për Shqipërinë një vendim të qartë, o me Europën, o me frikën nga Europa, o me drejtësinë, o me tmerrin nga drejtësia, o me reformat për të bërë shtet, o me pallavrat që çojnë në rrëmujë, o me rritjen e mëtejshme ekonomike, o me zhytjen përsëri në batak, o me konkurrencën dhe me meritën e secilit, o me korrupsionin e lëmoshat e partive, o me një qeveri që lufton çdo ditë për të nxjerrë Shqipërinë në dritë, o me një qeveri që na kthen mbrapsht tek avazet e vjetra në errësirë, o me Shqipërinë që duam o me Shqipërinë që kishim. Askujt të mos i shkojë mendja se më 18 qershor populli do të ndalohet të zgjedhë, kjo jo këtë nuk do ta lejojmë kurrë”, tha Rama.
Por ka reaguar menjëherë Lulzim Basha, që nga çadra në bulevard quajti europiane kërkesat e demokratëve dhe anti-europiane zgjedhjet me krimin dhe drogën.
“Çdo të diel në vetminë e tij këndon bilbili i monologut, bilbili i monologut sot akuzon se të luftosh për zgjedhje të lira dhe të ndershme qenka anti-patriotike dhe anti-europiane, se të bësh zgjedhje me krimin dhe me drogën dhe të bësh zgjedhje fasadë qenka patriotizëm nga ky shesh i të vërtetës le ti themi se anti-kombëtare anti-patriotike anti-europiane është anti-amerikane është projekti i kapjes dhe shkatërrimit të zgjedhjeve në aleancë me krimin dhe oligarkët që janë aleatët e vetëm të pushtetit të Edi Ramës se sa të luftosh dhe të fitosh përzgjedhje të lira dhe të ndershme”, shprehet Basha.
Më herët Lulëzim Basha deklaroi se opozita nuk do të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndërsa të hënën skadon afati për partitë politike.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post