Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit që mori Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për gjyqtarin Fatos Lulo i cili u përjashtua nga Gjykata Kushtetuese, pasi nuk justifikoi dot pasurinë e tij qindra mijëra dollarë.
Përmes një statusi në facebook Rama thotë se kjo është një nisje e mbarë dhe të gjithë shqiptarët që besojnë tek Vettingu duhet të ndjehen mirë.
“Të gjithë shqiptarët që e mbështetën fort Vetingun, sot duhet të ndjehen mirë sepse nisja është e mbarë? Pas 17 gjykatësve e prokurorëve që i ikën Vetingut pa filluar, procesi nisi e i pari që u mor në pyetje s’e justifikoi dot pasurinë dhe ra! Jam i bindur s’kemi parë gjë akoma??”.– shkruan Rama në Facebook.
Gjyqtari Fatos Lulo u përjashtua nga Gjykata Kushtetuese, pasi nuk justifikon dot pasurinë e tij qindra mijëra dollarë.
“Në përfundim të procesit të rivlerësimit, trupa gjykuese vendosi: Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit të Fatos Lulos, anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në vendim që u mor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Dy ditë më parë, Lulo ishte thirrur në seancë dëgjimore të vetingut, por nuk u paraqit para trupës gjyqësore të KPK-së, ndërsa kishte dërguar si mbrojtës avokatin e tij.
I kaluar në filtrat e KPK-së prej 5 muajsh, së bashku me aftësitë profesionale, lidhjet e tij dhe pasuritë, gjyqtarit kushtetues iu përmend si i dyshimtë vetëm burimi i pasurive.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, tha relatorja Etilda Çiftja, konkludon se Fatos Lulo ka kryer deklarim të rremë, përsa kohë nuk dihet burimi i pronave.
Për këtë u numëruan në seancë si pasuri të gjyqtarit kushtetues shuma prej 100 mijë dollarësh që iu dhurua nga e motra Drita Lulo dhe kontrata e borxhit prej 480 mijë dollarësh me të cilën ishte planifikuar të blihej shtëpi në Toronto të Kanadasë.
Skeda e pasurisë së Fatos Lulos: Si i ka “dhuruar” qindra mijëra dollarë, e motra…
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo ishte gjyqtari i parë që zhvilloi seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të mërkurën, si pjesë e procesit të vetingut.
Lulo ka ushtruar profesionin e avokatit dhe të anëtarit të Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit, përpara se të përfshihej në sistemin gjyqësor si anëtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2005. Prej vitit 2013 ai kryen detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike [bashkangjitur në PDF] paraqet ndryshimin e pasurisë së gjyqtarit Fatos Lulo përgjatë viteve të deklarimit 2003-2015.
Diskutime rreth kësaj post