Pas kalimit në administrimin e ri, uzina e përpunimit të naftës në Ballsh ka rifilluar punën me kapacitet të plotë dhe po paguan rreth 900 të punësuar.
“Prej një jave, të gjithë repartet e rafinerisë punojnë me kapacitet të plotë. Njerëzit janë të paguar. Një nga elementet bazë që ne shpresojmë në të ardhmen dhe ky është një problem thelbësor, punonjësit, është që të rimëkëmbim qendrën e trajnimit që të kemi të rinj që vijnë”, thotë administratori i rafinerisë.
Pas rivënies në punë, uzina ka rinisur prodhimin e eurodieselit të standardit europian, benzinë super dhe derivate të tjera.
“Fati i keq i yni qe që ne ngelëm në mes të katër rrugëve. Azerbajzhanasit ikën duke lënë gjithë këtë kapital e këta njerëz në mëshirë të fatit. Sot ka dalë eurodieseli me 5ppm, çka do të thotë i standardit europian”, thotë një punëtor.
Kryeministri Rama thotë se pagesat e punonjësve ishin kusht në negociatat me administratorin e ri.
“Ajo që gjetëm ne ishte faktikisht, një situatë e tmerrshme ku jo vetëm rafineria nuk punonte më, por edhe ju kishit kaluar muaj e muaj pa marrë asnjë cent. Në fakt këta shokët më treguan edhe përpëlitjet për të ushqyer familjen me lista nëpër dyqanet e zonës. Kur ne kemi negociuar me këta investitorë, që dolën më të vendosurit dhe më seriozët për ta çuar këtë punë përpara, sepse kemi pasur gjithfarëlloj takimesh, gjithfarëlloj përpjekjesh, kushti ka qënë që ditën e parë, gjithë këtyre njerëzve siç ia premtova ju në takim, i duhen paguar rroga e prapambetur dhe duhen siguruar”, deklaroi ai.
Drejtuesit thonë se rafineria gjeneron avull në sasi të tilla që mund të furnizojë të gjithë serrat e Mallakastrës. Kryeministri kërkoi që kjo sasi të përdoret për këto serra, duke ndihmuar zhvillimin e bujqësisë.
Diskutime rreth kësaj post