Mediet serbe në veri të Mitrovicës kanë përcjellë një deklaratë të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Millan Radojeviq, sipas të cilit ndërhyrja eventuale e Policisë së Kosovës për ta marrë “Trepçën” në veri do të ishte joreale, e rrezikshme, e madje, siç ka thënë ai, edhe e parealizueshme, transmeton “Zeri.info”.
Radojeviq ka thënë se nuk e pret një aksion të tillë Policisë së Kosovës në veri, për t’i futur nën kontroll objektet e “Trepçës”, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për “Trepçën”, me të cilin 80 për qind të aksioneve i ka Qeveria e Kosovës dhe 20 për qind punëtorët dhe aksionarët tjerë.
“Mendoj se është joreale që Policia në veri të Kosovës të reagojë, sepse kjo është detyrë shumë serioze dhe e vështirë. Nuk them se Policia e Kosovës këtë nuk do ta bëjë, me ndihmën edhe të njësive tjera që ka në dispozicion, por ne për këtë kemi biseduar me faktorët relevantë, jo vetëm në Prishtinë, por edhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovës dhe u kemi tërhequr vërejtjen se një aksion i tillë do të ishte shumë i keq dhe i rrezikshëm. Jam i bindur në atë se një aksion i tillë as që mund të realizohet, në të kundërtën do të na kthente në kohën e para 5-6 vjetëve”, ka thënë Radojieviq në emisionin “Sporazum”, të rrjetit të televizioneve serbe në Kosovë, përcjell “Zeri.info”.
Radiojeviq ka kujtuar faktin se në veri të Kosovës secili ka dikë që është i punësuar në “Trepçë” dhe për këtë arsye punëtorët, e as qytetarët nuk do të mund të jenë indiferentë ndaj një aksioni të tillë.
“Për qytetarët, ky ligj është tabu-temë, sepse hap çështje sikurse që është humbja e vendeve të punës, e ekzistencës dhe të ardhmes së familjeve të tyre, ndërkohë që reagimi eventual i institucioneve të Prishtinës do të sillte deri te ajo që punëtorët të dalin në rrugë dhe të protestojnë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre. Nga ana juridike është e mundshme që të kërkohet nga Policia e Kosovës të reagojë, mirëpo ky reagim nuk do të ishte diçka e mençur për Kosovën në këto momente”, ka vlerësuar Radojeviq.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Millan Radojeviq kur ka përmendur kohën e para 5-6 vjetëve, ka potencuar aksionin e njësive speciale të Policisë së Kosovës ROSU, për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në Jarinje dhe në Bërnjak.
Në atë aksion qe vrarë polici i ROSU-s, Enver Zymeri, ndërsa serbët e veriut të Kosovës kishin ndërhyrë dhunshëm në dy pikat kufitare, kishin djegur objektet dhe kishin vendosur barrikada në të gjitha rrugët e pjesës veriore të Mitrovicës, në mesin e të cilave edhe barrikadën mbi urën kryesore të lumit Ibër. /ZËRI/
Diskutime rreth kësaj post