Me hyrje, por pa dalje, me shtëpinë e veprimtarit të shquar Shtjefën Gjeçovi, si dhe me Kishën e Shën Nikollës të vjetër mbi 710 vjet, Janjeva shquhet edhe me përkatësi të ndryshme etnike. Në qytezën e vogël afër qytetit të Lipjanit jetojnë komunitete të ndryshme në harmoni me njëra-tjetrën, pa harruar të kaluarën antike të saj.
Në pjesën lindore të komunës së Lipjanit, në një distancë prej 12 kilometrash nga qendra, gjendet qyteza antike e Janjevës. Një qytezë, e cila sipas dokumenteve zyrtare daton qysh nga shekulli XIV dhe është njëra nga vendet më të vjetra në Kosovë.
Janjevën e karakterizon edhe fakti se është një vend kodrinor-malor, gjë që e bën të mundur zhvillimin e shumë kulturave bujqësore e blegtorale nga banorët, përmes të cilave ata sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre. Të veçantë Janjevën e bëjnë edhe shtëpitë qindravjeçare, të cilat me një arkitekturë unike të ndërtuara nga balta të japin përshtypjen se janë të ndërtuara njëra mbi tjetrën.
Karakteristikë tjetër e Janjevës janë edhe rrugicat e ngushta të shtruara me kalldrëm, të cilat ia shtojnë bukurinë edhe më shumë kësaj qyteze të vjetër e që dikur shquhej me zejtarë. Duke u bazuar në gjetjet arkeologjike konsiderohet se Janjeva është lokalitet mjaft i lashtë. Për vjetërsinë e kësaj qyteze tregon edhe Behxhet Konxheli, kryetar i Këshillit Drejtues të Janjevës. “Qyteti i Janjevës është formuar në fund të shekullit XIII. Janjeva është e njohur si njëra ndër qytetet më të vjetra në Kosovë pas Novobërdës e Vushtrrisë.
Kisha e vendosur në këtë qytet në fund të shekullit të XII dhe xhamia janë disa monumente të veçanta. Ka edhe shtëpi të vjetra, të cilat e karakterizojnë atë. Po ashtu në Janjevë gjendet edhe shtëpia-muze e Shtejfën Gjeçovit, i cili ka qenë njëri ndër themeluesit e shkollës shqipe”, ka thënë ai për “Zërin”.
Janjeva – qyteza me hyrje, por pa dalje
Ai gjithashtu tregon një karakteristikë të veçantë të kësaj qyteze e që e bën Janjevën njërën ndër qytezat më unike në Evropë. “Qyteti ka vetëm hyrje, ka e nuk ka dalje dhe është njëra ndër qytetet e vetme në Evropë me një karakteristikë të tillë”, ka thënë tutje ai.
Në Janjevë janë të ndërtuara rreth 600 shtëpi me afër 3000 banorë, shumica e të cilëve janë shqiptarë, ndërsa banojnë edhe kroatë, turq, romë, ashkalinj dhe boshnjakë, shkruan gazeta Zëri.
Qendra e qytezës njihet edhe si Çarshia dhe në të janë të vendosura bizneset e vogla private, si dhe xhamia. Afër saj gjendet edhe kisha katolike, të dyja këto monumente fetare që janë të vjetra. Si provë për harmoninë ndëretnike të komuniteteve e dëshmon edhe mungesa e konflikteve midis tyre. Për jetën e komuniteteve joshumicë në Janjevë na ka folur përsëri Konxheli. “Në Janjevë ekzistojnë disa komunitete: shqiptarë, turq, kroatë, romë, ashkalinj edhe disa banorë boshnjakë. Banorë të komunitetit serb nuk kemi këtu, por të tjera komunitete banojnë së bashku, janë të lidhur ndërmjet vete. Asnjëherë nuk e kanë dëmtuar njëri-tjetrin dhe e kanë ruajtur njëri-tjetrin. Kjo ka ndihmuar që të mos kenë mosmarrëveshje mes vete”, ka rrëfyer ai.
710 vjet nga ndërtimi i Kishës së Shën Nikollës
Që nga paslufta kjo qytezë sa e bukur, aq edhe e lashtë si shumë vende të tjera rurale nuk po mund t’u përballojë shpërnguljeve të popullatës. Shumë kroatë kishin ikur në Kroaci gjatë luftës së fundit dhe ata kthehen vetëm në rast festash. Këtu ata e gjejnë mundësinë ta vizitojnë edhe Kishën e Shën Nikollës, që shquhet për lashtësinë e saj. Ky kult fetar këtë vit ka festuar 710-vjetorin e themelimit. “710-vjetori i kishës është festuar tash dhe ka vizitorë, e sidomos ndërkombëtarë. Ata kanë qenë më të interesuarit. Edhe kroatët, që kanë banuar këtu shumë më herët e që tani kanë mbetur 200-300 vetë, vijnë prapë ta vizitojnë Kishën e Shën Nikollës. Ajo çfarë e karakterizon kishën është vjetërsia”, ka pohuar kryetari lokal i Janjevës.
Banorët shqiptarë po emigrojnë nëpër qytete të tjera për jetë më të mirë dhe ky është faktori tjetër, i cili ka ndikuar negativisht në gjallërinë e Janjevës.
Qyteza e lindjes së Shtjefën Gjeçovit
Në Janjevën e lashtë kishte lindur veprimtari i njohur Atë Shtjefën Gjeçovi, emrin e të cilit me krenari e mban shkolla fillore e qytezës, ndërsa në shenjë respekti për veprën e tij në Janjevë është restauruar shtëpia e Gjeçovit, e cila për çdo vit tërheq vizitorë të shumtë. “Ne e festojmë për çdo vit përvjetorin e shkollës, e cila e mban emrin e Shtjefën Gjeçovit. Unë ta them të drejtën nuk jam i kënaqur me Komunën, pasi është bërë renovimi, mirëpo pajisje brenda nuk ka. Ka vetëm ndonjë fotografi ose ndonjë veshje të tij, sepse ka vizitorë të cilët duan të shohin gjëra të tjera. Aty përveç mureve nuk ka ndonjë gjë tjetër të veçantë. Kjo është arsyeja pse nuk jemi të kënaqur me mirëmbajtjen e saj”, ka deklaruar tutje Konxheli.
“Anija”, që ia ktheu gjallërinë Janjevës
Përveç shtëpive shumë të vjetra në Janjevë, të cilat janë atraksion për t’u vizituar, viteve të fundit është hapur restoranti “Anija”, i cili me arkitekturën e rrallë ndërtimore ka arritur të tërheqë numër të madh vizitorësh vendorë, por edhe ndërkombëtarë. “Tani në Janjevë ka shumë vizitorë, pasi është ndërtuar edhe restoranti i njohur ‘Anija’. Edhe kisha, edhe shtëpia e Shtjefën Gjeçovit sjellin vizitorë në qytetet edhe pse nga paslufta Janjevën e kanë braktisur shumë qytetarë”, ka thënë tutje Behxhet Konxheli.
Edhe pse hapja e këtij restoranti ia ka rikthyer një dozë gjallërie qytezës, prapëseprapë është shumë larg gjallërisë që dikur kishte Janjeva.
Diskutime rreth kësaj post