Prodhimet e qumeshtit shenojne rritje si çdo produkt tjetër në treg. Prodhuesit e nënprodukteve të qumështit lajmërojnë rritjen e çmimeve për shkak se lënda bazë e industrisë së tyre është shtrenjtuar.
Por janë rritur çmimet edhe të energjisë dhe të naftës dhe ato ndikojnë më së shumti. Prodhuesit propozojnë si ndihmë nga shteti 10 lekë për çdo litër qumësht të prodhuar nga fermerët.
“Para se të filloja punë këtu unë isha mësuese matematike në Shëngjin, prej 5 vitesh merrem me punët e baxhos. Me rritjen e çmimit të naftës pati një rritje zinxhir edhe për ne. Qumështin normalisht që do ta blinim më shtrenjtë, sepse në të kundërt fermerët do të detyroheshin të hiqnin lopët. Për t’i qëndruar fermerëve afër automatikisht që litrin e qumështit do ta merrnin më të lartë. Një litër qumësht një vit më parë ishte 46 lekë, ndërsa sot 65 lekë. Kostot e prodhimit të një viti më parë afërsisht shkojnë tek 350 lekë. Ndërsa sot kostot e prodhimit kanë shkuar 400-420 lekë”, tha Enxhi Marku.
“Faktorët që po ndikojnë në rritjen e çmimit janë: rritja e çmimit të qumështit të freskët, çmimi i energjisë elektrike i cili për një pjesë të operatorëve është dyfishuar, për një pjesë është trefishuar; si dhe ngritja e çmimit të naftës dhe të gazit”, tha Donjaldo Hoxha.
Por si mund të frenohet rritja e çmimit të produkteve të bulmetit?
“Konkretisht kemi kërkuar 10 lekë për çdo litër qumësht që prodhohet nga fermerët shqiptar. Kjo do të bënte që çmimi i qumështit të ishte më i lirë se sa aktualisht. Njëkohësisht ne kemi kërkuar një TVSH 6%. Njëkohësisht ne kemi kërkuar dhe skema mbështetëse si ato të rajonit, çka do të bënin që fermat shqiptare do të përballonin këtë krizë”, u shpreh Donjaldo Hoxha.
Diskutime rreth kësaj post