Qeveria shqiptare ka rikthyer vëmendjen në sigurimin e pronave nga fatkeqësitë natyrore. Me anë të një projektligji të hedhur për konsultim publik, qeveria propozon një ligj që do të përcaktojë rregullat dhe normat për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet në Shqipëri.
Për të adresuar ndikimin social dhe fiskal të tërmeteve, Ministria e Financës dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë hartuar projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”, duke u mbështetur në përvojat e suksesshme të vendeve të tjera Turqia, Rumania, Filipinet. Në relacionin shoqërues thuhet se pas përvojës në vende të tjera, mbulimi efektiv i sigurimit pritet të rritet gradualisht në vite, pas miratimit të ligjit.
Në nenin 5 të ligjit thuhet se pronat detyrohen të sigurohen nga tërmet çdo vit, ku përfshihen banesat sociale me qira, përfshirë ato në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Kjo është tentativa e dytë e qeverisë shqiptare për një ligj për sigurimin e banesave, pasi edhe më herët qarkulloi edhe një draft, fill pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku humbën jetën 51 persona dhe u shkatërruan me qindra pallate dhe banesa private.
Ky projekt ligj i hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore vjen vetëm pak muaj pas rekomandimit që ky institucion ndërkombëtar bëri në fillim të këtij viti ku ndër të tjera thuhej se Shqipëria përjeton mesatarisht 0.8 fatkeqësi natyrore në vit, dhe kosto mesatare e mediane përkatësisht prej 0.6 për qind të PBB-së dhe 1.3 për qind të PBB-së për ndodhi.
Raporti i Rrezikut Botëror 2021, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 181 vende, bazuar në kapacitetet përballuese, e rendit Shqipërinë të parën në Evropë dhe në vend të 61, në rang botëror.
Rreth 17.6 miliardë dollarë të aseteve tregtare, industriale dhe bujqësore të vendit janë në rrezik nga përmbytjet dhe tërmetet. Humbjet e mundshme në Shqipëri nga një fatkeqësi natyrore me një periudhë kthimi 250-vjeçare vlerësohen në 2.08 miliardë euro për tërmetet dhe 1.18 miliardë euro për përmbytjet.
Diskutime rreth kësaj post