Këshilli i Ministrave ka vendosur këtë të hënë të krijojë kompaninë shtetërore e cila do të merret me prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike. Kompania private “Aleat” do të kalojë gradualisht gjatë vitit 2023 të gjitha të dhënat te kompania shtetërore.
Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 20.000 000 (njëzet milionë të reja) lekë dhe autoriteti publik që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë aksionare, është Ministria e Brendshme.
Dokumentet e identifikimit, pasaporta dhe karta identiteti, do t’u jepen shtetasve shqiptarë dhe/ose shtetasve të huaj me banim të përkohshëm apo të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve u njihet kjo e drejtë në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës në fuqi.
Referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, shoqëria aksionare financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme. Këto të ardhurat përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
Ministri i Brendshëm, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme për themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare dhe regjistrimin e shoqërisë aksionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E SHOQËRISË AKSIONARE PËR PRODHIMIN DHE SHPËRNDARJEN E DOKUMENTEVE BIOMETRIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 105, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Krijimin e shoqërisë aksionare, me kapital 100 (njëqind) % shtetëror, për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike të shtetasve shqiptarë dhe/ose shtetasve të huaj me banim të përkohshëm apo të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve u njihet kjo e drejtë në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës në fuqi.
Emri i shoqërisë aksionare përcaktohet në aktin e themelimit dhe statutin e saj.
Shoqëria aksionare, sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij vendimi, themelohet, organizohet dhe funksionon, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.
Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 20 000 000 (njëzet milionë) lekë.
Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë aksionare, është Ministria e Brendshme.
Shoqëria aksionare ofron kundrejt pagesës shërbimin e prodhimit dhe shpërndarjes së:
a) letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike;
b) dokumentit biometrik (leje qëndrimi për të huajt për çdo motiv me përjashtim të lejes provizore dhe humanitare);
c) letërnjoftimit elektronik për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
ç) dokumentit të udhëtimit për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
d) çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.
Shoqëria aksionare mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.
Tarifat e shërbimeve përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Shoqëria aksionare financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme. Të ardhurat e shoqërisë aksionare përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
Ministri i Brendshëm, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme për:
a) themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare;
b) regjistrimin e shoqërisë aksionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Ministria e Brendshme i siguron shoqërisë aksionare mjediset e punës, të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.
Ministria e Brendshme i kalon pa pagesë shoqërisë aksionare çdo të drejtë ose titull të marrë në dorëzim nga koncesionari, sipas përcaktimeve të kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike”, datë 21 korrik 2008, e ndryshuar, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit të Sagem Securite e Fondit Shqiptaro – Amerikan të Ndërmarrjeve, ratifikuar me ligjin nr.9972, datë 27.8.2008, përfshirë të gjitha pasuritë e krijuara apo të ndërtuara apo të zhvilluara posaçërisht ose të përdorura nga koncesionari dhe/ose punonjësit e tij dhe që i përkasin koncesionarit gjatë periudhës së koncesionit dhe për qëllimin e zbatimit të koncesionit, përfshirë sistemet software dhe hardware dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.
Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Brendshme transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Diskutime rreth kësaj post