Taksa e qarkullimit ka rritur ndjeshëm barrën e taksave që qytetarët shqiptarë paguajnë në emër të mjedisit.
Instituti i Statistikave raportoi se familjet shqiptare paguan 48 miliardë lekë ose mbi 381 milionë euro taksa për mjedisin në vitin 2016.
Sipas INSTAT, krahasuar me vitin 2015, fatura e taksave mjedisore që paguajnë qytetarët është rritur me 8.64 për qind, kryesisht si pasojë e rritjes së taksave të transportit.
Më konkretisht nga 44 miliardë lekë që ishin në vitin 2015, barra e taksave të paguara nga qytetarët u rrit në 48 miliardë lekë një vit më pas. Ndërsa krahasuar me vitin 2013, qytetarët shqiptarë kanë paguar mbi 100 milionë euro më shumë taksa mjedisore. shkruan SYRI.net.
Nga struktura e të ardhurave të taksave mjedisore për vitin 2016, taksat e energjisë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave me 51,36 %, të shoqëruar nga taksat e transportit 44,67 %, taksat e ndotjes me 3,93 % dhe taksat e burimeve natyrore me 0,03%.
Asryeja kryesore e rritjes së barrës të taksave mjedisore është taksa e qarkullimit, e cila mblidhet në çmimin e karburanteve. Në vitin 2014 qeveria e katërfishoi taksën e qarkullimit, duke e bërë në 27 lekë për litër nga 7 lekë që ishte më parë.
Qeveria shqiptare mbledh rreth 180 milionë euro në vit nga taksa e qarkullimit, para të cilat shkojnë për të mbushur nevojat e buxhetit dhe aspak për të përmirësuar mjedisin.
Diskutime rreth kësaj post